“E mbërthyer nga ankthi i humbjes së zgjedhjeve, dyshja Rama-Meta po intensifikon këto ditë shkeljet e ligjit dhe aktet e rënda të cënimit të standardeve të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Këto akte të frymëzuara e të porositura nga dyshja Rama-Meta vijnë prej frikës e dëshpërimit në prag të ballafaqimit me votën e popullit me 21 qershor”, denoncoi PD sot, duke u ndalur në raste konkrete denoncimesh.
Në minibashkitë e Tiranës të drejtuara nga socialistët, konkretisht në qendrën e votimit 1683 dhe 1683/1, janë regjistruar 278 votues, të cilët banojnë e jetojnë në lulishte. Vendi i banimit të këtyre banorëve është zyrtarisht me letra, një lulishte. Këtë e tregon dhe kjo hartë që po paraqesim sot para jush.
Në Kolonjë strukturat e PS dhe LSI janë sulur me kamionë me ndihma, dhe në mes të qytetit shpërndajnë miell e vaj në këmbim të votave. Ja ku kemi fotot që e dëshmojnë këtë rast.
Vora mbetet kampione e shkeljes së ligjit, ku strukturat shtetërore dhe kriminale të Ilir Metës kanë rrethuar shtabin e kandidatit Ismailaj, ku shantazhohet e shoqërohet çdo qytetar që hyn e del nga aty, ndërkohë që ende nuk ka asnjë masë për shefin e komisariatit i cili është kallëzuar penalisht për përfshirje në fushatën e Ilir Metës e për abuzime e shkelje.
Në Durrës, personat e shpallur në kërkim nga policia për ngjarjet e rënda në Sukth, janë çdo ditë në krah të kandidatit Dako në takimet e tij elektorale.
Kemi këtu, dy raste flagrante;
Nënkomisari Artan Alinani në Sarandë, dhe në këtë foton tjetër, oficeri i policisë, shef i linjave, Shkëlqim Bello, të dy në krah të kandidatit të qeverisë për Delvinën, Rigers Balili.
Ja një zyrtare e lartë e Interpol Tirana, Irma Bime, e përfshirë në mënyrë shumë aktive në fushatën e Erion Veliajt në Tiranë, e cila shfaqet në dhjetëra foto të takimeve të kandidatit të Ramës.
“Këto raste janë shkelje flagrante e Kodit Zgjedhor dhe e standardeve të zgjedhjeve.
I bëjmë thirrje Prokurorisë të hetojë e të garantojë zbatimin e ligjit dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve. I kërkojmë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, OSBE-ODIHR dhe përfaqësuesve të vendeve të BE, të rrisin monitorimin e të regjistrojnë këto ngjarje që dëmtojnë standardet e zgjedhjeve.
Por asgjë nuk do ta pengojë vullnetin e shqiptarëve, ndëshkimin me votë të dyshes Rama-Meta e kandidatëve të tyre. Asgjë nuk e ndal fitoren e sigurt të Partisë Demokratike gjë që po dëshmohet çdo ditë në rrugët e sheshet e Shqipërisë”, përfundon deklarata e PD.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/