SALI BERISHA/Reforma me “thikë në palcë”

SALI BERISHA/Reforma me “thikë në palcë”

80
0
Shares

Disa ditë më parë në Tiranë, në një takim publik me drejtuesit e bankave te vendit, Edi Rama deklaroi para mediave se: “ ne jemi shumë të vendosur të bëjmë një reformë në drejtësi që, për herë të parë në këto 20 vjet, të shkojë përtej letrave, të shkojë përtej ligjeve të shkruara bukur dhe të miratuara, për të futur thikën në palcën e organizimit të korruptuar dhe të kalbur të drejtësisë tonë”. Për ata që nuk e dinë kuptimin e thikës në palcë, por rikujtoj këtu se, në ritin e therjes së berrave apo gjedhëve, kasapi ose ai që bën kasapin është i detyruar, ta çojë tehun e thikës ose sipas rastit majën e thikës gjer në palcën e vertebrave të qafës, që therja e berrit apo gjedhit, pra e kurbanit,të konsiderohet e përfunduar.

Kjo deklaratë pra nuk është bërë në një spital psikiatrik, nga një i sëmurë të cilin sëmundja e pa mjekuar e bën që në delir, të imagjinojë çdo lloj skenë. Ajo nuk vjen nga vende ku, në përputhje me ligjin e tyre, i presin me satër apo gijotinë kokën publikisht fajtorit të dënuar sipas ligjit.

Thika në palcë, si mjet ekzekutimi, përdoret sot vetëm në një vend në botë dhe ky është shteti islamik; vetëm aty i therrin njerëzit me thikë në qafë dhe gjer në palcë. Mirëpo, përsëri më duhet të them se, deklarata e mesipërme nuk vjen nga Al Bagdati apo xhelatë të tjerë për rreth tij, që demostrojnë publikisht aktin e tyre kafshëror – therjen me thikë gjer në palcë të qytetarëve të pafajshëm. Por, kjo deklaratë kobzezë, vjen nga kreu i qeverisë shqiptare, qeverisë së një vendi që, si anëtar i KE, ka të ndaluar dënimin me vdekje,qeverisë së një vendi antar të NATO-s dhe kandidat për në BE.

Dikush mund të më thotë se, Edi Rama këtë shprehje e ka përdorur në mënyrë figurative. Unë këtë e di dhe jam plotësisht dakord se ai nuk e ka përdorur atë në kuptimin që e përdorin xhelatët e Al Bagdatit. Por përsëri theksoj se një shpreje të tillë e nxjerr nga goja vetëm një mendje e sëmurë, e cila e shtyn individin drejt ekstremizimeve. Për reformat ne nje vend antar të NATO-s dhe kandidat ne BE, Rama përdor fjalorin e një të semuri psiqik, apo të një xhelati në fron apo afër fronit të një sistemi diktatorial. Ai e bën këtë pasi, në mënyrë të përsëtur, në fjalimet e tij publike, ndofta është i vetmi kryeministër i këtij planeti që, për të shuar urrejtjen e tij, bërtet me kënaqësi të veçantë para kamerave për hekura, burg, burg, hekura dhe tani më së fundi, po për kënaqësi të tij, në përshkallëzim e sipër, ai kaloi gjer tek thika në palcë.

Ai e bën këtë pasi, gjatë këtyre dy viteve, duke dhunuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit, ka dekapituar njëra pas tjetrës, shumicën e institucioneve të vendit dhe ka vënë kukullat e tij. Ka hequr, po në mënyrë antikushtetuese, kompetenca të Presidentit të Republikës për t’i veshur ai vetë si pushtetin e tij.

Por ata që njohin Ramën mirë, kompleksin e tij të kurbanit dhe fiksimet e tjera që ka, e kanë të qartë se, me thikën në palcë, natyrisht nuk don të therrë gjykatës apo prokurorë, ndonëse ai i ka kërcënuar ata në mënyrë të përsëritur me “prerje të këmbëve” dhe “zhdukje nga faqja e dheut”. Ai e bën këtë se, sikundër e thotë edhe vetë, ai do një reformë “përtej ligjeve”. Pra ai nuk do reformën e sistemit të drejtësisë, të bazuar në ligje, por ai kërkon me çdo kusht kurban reformë – reformë të bazuar në vullnetin e tij, apo thënë ndryshe ai e do drejtësinë kurbanin e tij dhe vehten kryegjykates, kryeprokuror te sajin. Prandaj dhe të gjithë ata që kanë ndjekur me vëmëndje të gjithë qëndrimet e tij në procesin e reformës, kanë kuptuar ose do kuptojnë, se shefi i ekzekutivit shqiptar kërkon vetëm një drejtësi; në asnjë mënyrë atë të bazuar në ligje, por drejtsine përtej ligjeve të shkruara, pra atë, të vullnetit të tij, që qëndron mbi ligjet, ne menyre qe ai te emrojë dhe shkarkojë çdo gjykates dhe prokuror, te caktojë çdo akuze dhe çdo mase denimi me telefonin e tij.

Në funksion të këtij qëllimi Edi Rama, për herë të pare në 15 vitet e fundit, përjashtoi konsensusin me opozitën dhe bëri gjithçka që, kurban reformën e drejtësisë, ta miratojë me kriminelët e tij në parlament dhe deputetë të blerë dhe jo me votat e opozitës, pasi ai e di mirë se opozita nuk mund të jetë kurrë për kurban reformë.

Pas vitit 2005, por dhe me parë, të gjitha ndryshimet e ligjeve të sistemit të drejtësisë, papërjashtim që të gjitha, janë bërë me konsensus të plotë, pra me të drejtë vetoje të mazhorancës dhe opozitës dhe kjo, në asnjë rast të vetëm nuk ka shkaktuar bllokimin e reformave. Kështu me konsensus të plotë :

– është amenduar ligji i KLD dhe nxjerrë jashtë konfliktit të interesit KLD;

– është amenduar ligji për sistemin e drejtësisë dhe vendosur emërimi i gjykatësve jo më nga prurje administrative politike, por vetëm nga Shkolla e Magjistraturës;

– është amenduar ligji për Prokurorinë e shtetit dhe është hequr mandati à vié dhe përcaktuar mandati 5-vjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm;

– është hequr imuniteti për gjyqtarët, prokurorët dhe ndryshuar kushtetuta;

– është amenduar ligji për Gjykatën e Lartë;

– është miratuar Kodi i Procedurave Administrative;

-është miratuar ligji për Gjykatën Administrative, i hartuar me ekspertizën e plotë të ekspertëve amerikanë, financimin e USAID-it dhe me që jemi këtu, po me konsensus të plotë, iu bënë ndryshimet më të thella Kushtetutës së vendit dhe u miratua, nga alfa deri tek omega, Kodi Elektoral dhe janë amenduar një sërë kodesh të tjera.

Në funksion të qëllimit të tij për reformë “përtej ligjeve” ai përjashtoi nga çdo lloj konsulte Presidentin e Republikës dhe Presidencën që inicioi procesin e reformës në drejtësi, KLD, etj, vetëm e vetëm se ata nuk janë gati të pranojnë kurban reformën apo drejtësinë në këmbët e Edi Rames.

Në funksion të këtij qëllimi, Edi Rama, ngarkoi me këtë detyrë ekstremistin e mirënjohur dhe me lidhje gjenetike me krimin agresiv si Fatmir Xhafa, dhe përjashtoi Ministrinë e Drejtësisë nga reforma, institucion në të cilin shteti shqiptar si dhe çdo shtet ka ekipet, stafet, drejtoritë më të kualifikuara të hartimit të ligjeve.

Në funksion të këtij qëllimi, për t’i futur thikën gjer në palcë sistemit të drejtësisisë, pra te reformes pertej ligjeve, ai përzgjodhi dhe angazhoi njerzit e tij më të sigurt. Jo rastësisht, përkrah Xhafës së parlamentit vendosi Dvoranin apo Xhafën e Gjykatës së Lartë, gjykatësi që në dhunim flagrant të Kushtetutës, mirrte pjesë në mbledhjet, takimet publike të Partise Socialiste, të cilit thuhet se Rama i ka premtuar, si shpërblim, dërgimin e tij si gjykatës në Strasburg.

Në krah të tij vendosi Luan Omarin, pothuaj autorin e kushtetutës më famëkeqe në historinë e Europës, kushtetutes të vitit 1974 e cila ndaloi me dënim kapital liritë dhe të drejtat themelore të shqiptarëve.

Në funksion të kësaj reforme, ai zgjodhi “ekspertët” teknike zelltaret e tij besnikë, sharlatanë dhe fallsifikatorë, njerëz qe zbardhin ne mengjes çuçurimat ne vesh te kunatave te tyre si porosi te prera te Rames.

Mjafton të lexosh dokumentin e tyre klasist të analizës së sistemit të drejtësisë për të kuptuar se çfarë përfaqësojnë autorët e saj.

Në këtë dokument analizë klasore, ata nuk thonë asnjë fjalë për drejtësinë e periudhës 1997-2005, kohë në të cilën Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese kishin në krye ministrin dhe anëtarë të kyesisë socialiste dhe ish-deputetë, sekretarë të PS, etj, apo periudhën në të cilën u dyndën në gjykatat dhe prokuroritë e vendit deputetët dhe militantët partiakë. Ata nuk thanë asnjë fjalë për kohën kur, raportet ndërkombëtare të viteve 2000, denoncuan sistemin e drejtësisë në Shqipëri si sistem me katër shkallë sepse, Fehmi Abdiu, njeriu që në fund të vitit 1988, dënoi me varje disidentin Havzi Nela, bënte sa herë e urdhëronte Partia, shkallën e katërt të gjykimit, duke dhunuar ligjet dhe Kushtetutën.

Në raportin e tyre te analizes klasore fshehin dhe nuk thonë asnjë fjalë për kërcënimin me “prerje të këmbëve” nga Edi Rama drejtuar gjykatëses së Kukësit, apo kërcënimit me jetë të gjykatësit të Krujës, Vlorës, etj.

Në dokumentin e tyre, ekspertët e Ramës, fshehin dhe nuk thonë asnjë fjalë për mosdënimin për jetë, me urdhër politik, të vrasësit recidivist dhe serial, Xhuvanit të partisë, rast unik në historinë e drejtësisë shqiptare, duke i pranuar xhelatit të viktimave kërkesën për gjykim të shkurtuar.

Ata nuk thonë asnjë fjalë për dënimin, për shpifje për shkak të detyrës, të dy drejtuesve kryesorë të PD të paditur nga Edi Rama, akt i pashembullt në historinë e pluralizimit, që vjen në kundërshtim flagrant me gjykimet e 13 rasteve analoge të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe e gjitha kjo, duke kërcënuar dhe bërë presionin më të madh ndaj gjykatësve.

Ata nuk thonë një fjalë, në qindra faqe, për mosdënimin me urdher politik nga gjykata e lartë, të dy banditëve që goditën, në korridorin e parlamentit, për shkak të detyrës, deputetin Strazimiri. Edhe kjo rezultat i presioni direkt, të jashtëzakonshëm, mbi gjykatësit nga vetë Edi Rama. Pavarësisht se ai, për të larë duart për vete, ia faturon këtë presion bashkëkryetarit tjetër të mazhorancës.

Ata janë fallsifikatorë ordinerë, sepse në raportin e tyre klasor, kanë integruar si të vehtin, fjalë për fjalë, raportin e pesë viteve më parë të ekspertëve të BE-së, për sistemin e drejtësisë dhe gjobat që vendosnin Topi dhe soji i tij, në emërimet dhe transferimet e gjykatësve. Ata e kanë bërë këtë me qëllim më të ulët, përbaltjen e Presidentit aktual të Republikës vetëm e vetëm se Edi Rama dështoi në përpjekjet e tij të ulta dhe amorale për korruptimin e tij.

Njerëzisht, do t’i kërkoja ekipit të Euralius-it të gjente në arkivë atë raport, për të kuptuar se me kë bashkëpunon.

Duke denancuar me forcen me te madhe idenë e Edi Rames per reformen pertej ligjeve, dua gjithashtu te theksoj se, në bindjen time më të thellë, reforma e sistemit të drejtësisë është reforma e të gjitha reformave dhe e një rëndesie vendimtare për funksionimin e shtetit ligjor, garantimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve shqiptarë, zhvillimin dhe prosperitetin, sigurinë e vendit, integrimin e Shqipërisë në BE.

Të gjitha ligjet mbi të cilat bazohet sot ky system, janë ligje të 15 viteve të fundit të, hartuara mbas miratimit të Kushtetutës dhe në zbatim të saj, dhe që të gjitha, me ekspertizë ndërkombëtare.

Por, pavarësisht nga kjo, sistemi ynë i drejtësisë, ka manifestuar difekte shume te renda dhe te papajtueshme me ligjet dhe kushtetuten e vendit. Ky sistem ka nevojë, domosdoshmëri jetike, reformën për tu ndare njëherë e mirë nga pazaret kriminale, përdorimin e të padrejtës për të drejtë, blerjen me para, favore te tjera, apo presionit politik ndaj akuzes dhe vendimit gjyqësor. Reforma në drejtësi është jetike për t’u ndarë nga vendimet e padrejta, antiligjore të gjykatësve dhe prokurorve të inkriminuar, që me vendimet e tyre antiligjore nxijnë imazhin e drejtësisë, dhunojnë të drejtat dhe liritë themelore te qytetarëve, bllokojnë zhvillimin e vendit.

Por, deklarata e Edi Ramës, bëhet në një kohë kur të gjitha institucionet shqiptare, presidenti, qeveria, parlamenti, mazhoranca, opozita,institucionet dhe partnerët kryesorë si: Komisioni i Venecias, Euralius-i, OPDAT-i, ambasada e SHBA, BE dhe vendeve të tjera mike, janë angazhuar me të gjitha mundësitë dhe potencialet e tyre të gjithanshme për reformën e sistemit të drejtësisë, per t’a bere kete sistem me te pavarur, me transparent, me te pergjegjshem para ligjit.

Unë i kam ndjekur me interesin më të madh përpjekjet e mëdha, në takime me drejtues të institucioneve ndërkombëtare të fushës, përfaqësues të vendeve mike; kam shprehur mendimet e mia mbi karakterin jetik të kësaj reforme për vendin, sikundër kam vlerësuar shumë ndihmën e tyre tejet jetike për këtë reformë, kam vlerësuar shumë angazhimin shumë serioz të opozitës për bashkëpunim dhe për të kontribuar në këtë reformë, me bindjen më të thellë se ajo i intereson më shumë se kujdo tjetër opozitës!

Duke theksuar të gjitha këto shtoj se, deklarata e “thikës në palcë”, është para së gjithash thikë në palcë për reformën akoma pa lindur, pasi Edi Rama do reformë përtej ligjeve, me fjalë të tjera reformë sipas vullnetit të tij të shndëruar natyrisht në ligj, por jo ne ligjin e standartit demokratik por ne ate te vullnetit tij te semure. Kjo dekleratë është thikë në palcë për parimin më themelor të suksesit të një reforme, atë të pranimit sa më të gjerë të saj nga komuniteti që do ta zbatojë atë. Në rast se mendojmë se sot ka njerëz të lirë, që janë të gatshëm t’i shtrinë qafën kasapit për t’i futur thikën në qafë për hir të reformës, ne shohim ëndrra me sy hapur. Një reformë të tillë asnjë individ, asnjë komunitet nuk e pranon. Prandaj ju bej thirrje te gjithe atyre qe po merren me seriozitetin dhe perkushtimin me te madh me reformien e drejtesise, t’i heqin thiken e kasapit nga dora Edi Rames dhe te ndalojne çmendurine e tij te reformes pertej ligjeve apo drejtesine ne kembet e tij!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY