Drejtori i Përgjithshëm i Sigal Uniqa, Avni Ponari, tha gjatë një takimi me sipërmarrës të rinj, se duhen bërë ndryshime në ligjin e sigurimeve, që të bëjnë të mundur mbrojtjen e interesave të konsumatorëve.
“Ka një mungesë të theksuar në shumë fusha të legjislacionit, ndaj duhet ndërtuar një paketë e re ligjore, duke filluar që nga ligji bazë për sigurimet. Duhet të jenë ligje që bëjnë të mundur mbrojtjen e interesave të konsumatorëve në të gjitha fushat. Aksidentet janë të pranishme çdo vit, përmbytjet gjithashtu , ngjarjet aksidentale etj”, -deklaroi Ponari.
Ponari tha se Shqipëria renditet e fundit në rajon për sigurimet. Ai theksoi nevojën për të futur në kulturën e shqiptarëve sigurimet në tërësi dhe jo të mbeten vetëm tek sigurimi i makinës, treg i cili në të gjithë botën zë vetëm 5%, ndërsa 95% është tregu tjetër i sigurimeve, si ai i sigurimit të jetës, shëndetit, pronës, biznesit, sigurimi i studentëve, i koorporatave, i pensioneve private etj.
Megjithatë, tha ai besoj se tregu i sigurimeve do të shkojë drejt zgjerimit dhe tendenca e zhvillimit është me rreth 15%-20% në vit. “Aktualisht shqiptarët paguajnë për sigurimet një prim prej 20 eurosh për frymë në vit, ndërsa Maqedonia paguan 60 Euro, Rumania 100 Euro, Kroacia 300 Euro, Sllovenia 1000 Euro, Austria 3000 Euro, ndërsa SHBA-të paguajnë 6000 Dollarë në vit për siguracione”, -tha Ponari.
Në vijim Ponari u tregoi sipërmarrësve të rinj në sallë se kompaninë e tij e ka nisur në vitin 1999, me një staf prej pesë personash dhe një kapital fillestar 400 mijë dollarë, ndërsa sot kompania e tij kap shifrat mbi 60 milionë Euro prime bruto vjetore dhe një staf prej 1100 punonjësish në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.
I pyetur nga sipërmarrësit e rinj, se çfarë duhet të kenë ata parasysh në momentin që vendosin të hapin një biznes të ri, Ponari iu përgjigj: “Ajo që unë do t’ju këshilloja është që të keni një ide të qartë se çfarë doni të krijoni, por mbi të gjitha ta doni atë që bëni. Nëse nuk e doni atë që bëni, më mirë mos iu futni fare asaj rruge. E dyta
, do t’ju thoja që niseni një biznes duke marrë parasysh edhe kapacitetet fillestare që keni. Pra mos merrni borxhe pafund, pasi ato borxhe nuk do t’ju lënë të merrni frymë. E treta, mos mendoni që do të pasuroheni që në fillim, pasi do të zhgënjeheni shumë, aq shumë sa mund ta ndaloni aty iniciativën e re. Kini parasysh që në Shqipëri tregu është shumë i vogël dhe është e vështirë të depërtosh që në fillim, e aq më tepër t’i merrni frytet e investimit që në vitet e para”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/