Teknikët e OSSHEE shkëputën energjinë elektrike për televizionin Agon Channel sot në mëngjes duke bllokuaR transmetimet e tij. Në një postim në faqen e televizionit në Facebook, shkruhet se “Qeveria Rama ndërpret energjinë elektrike në Agon Chanel dhe nxjerr në rrugë 400 punonjësit e televizionit. Ndërkohë që vetë kryeministri Rama bëri të pa mundur që ta çonte televizionin e fjalës së lirë drejt mbylljes, shpresoi në largimin e punonjësve dhe kur dështoi dergoi OSHEE për të realizuar atë çka ai priste”.

Konflikti mes Agon Channel dhe qeverisë nisi gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. Agon transmetoi filmime rreth blerjes s votave në Shkodër nga PS dhe LSI, një prej lajmeve më të bujshme mediatike të asaj periudhe.
Mbyllja e Agon Channel ka sensibilizuar edhe aktorë të politikës. Genc Pollo, kryetar i komisionit të medias në Parlament tha se mbyllja e tij është “Edhe një goditje medias joqeveritare. Qev. Rama i pret korrentin TV Agon Channel. Nuk tregoi si duhet sukseset e ekonomisë, CEZit, Tahirit”.
Prej disa muajsh gazetarët dhe punonjësit e Agon Channel nuk marrin as pagat për shkak se qeveria ka bllokuar llogaritë dhe nuk lejon lëvizjen e parave.




