VIDEO 1/ Pjesë nga intervista “kryqëzuese”, pyetjet dhe përgjigjet e Ilir Metës...

VIDEO 1/ Pjesë nga intervista “kryqëzuese”, pyetjet dhe përgjigjet e Ilir Metës për korrupsionin te “Zëri i Amerikës”

73
0
Shares

INTERVISTA E PLOTE/ Ilir Meta përballë pyetjeve për korrupsionin

Zëri i Amerikës: Çfarë roli i kërkohet Shqipërisë të luajë në luftën kundër terrorizmit?
Ilir Meta:
Shqipëria vlerësohet me notat më të larta për sa i takon bashkëpunimit të saj në luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha kërcënimeve të reja, me të cilat ndeshet vendi ynë, rajoni ynë, por edhe NATO-ja dhe në këtë drejtim vlerësohet si një nga partneret më të mira dhe më të besueshme. Ky është forumi i dytë që zhvillohet në Uashington nga kongresmeni Pittinger, i cili është edhe kryetar i task-forcës në Kongresin amerikan. Ne shpresojmë që forumin tjetër ta zhvillojmë në Tiranë, ku Shqipëria ka shumë se ç’mund të thotë në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, gjatë këtyre ditëve keni pasur rastin të takoheni me një numër kongresmenësh. Ndërkaq, në të kaluarën, kur keni ardhur në Uashington, por zakonisht edhe zyrtarë të tjerë të lartë nga Shqipëria i shfrytëzojnë këto vizita për të takuar edhe përfaqësues të ekzekutivit si dhe për të matur pulsin e administratës në zhvillimet që po ndodhin në Shqipëri. A keni plane të takoni ndonjë zyrtar të lartë të administratës?
Ilir Meta:
Lidhur me këtë vizitë, dua të bëj të qartë që kjo është e përqendruar në Kongresin e SHBA, në cilësinë time si kryetar i Kuvendit dhe kemi pasur takime të niveleve më të larta, duke përfshirë sot edhe me lideren e demokratëve në Kongres, zonjën Nancy Pelosi, madje kemi pasur mundësinë edhe të përshëndetemi, përpara se të votohej për kryetarin e ri të Kongresit, me kryetarin e mëparshëm, zotin Boehner. Do të zhvillojmë edhe takime të tjera, por natyrisht që kjo ka qenë një axhendë e përqendruar te Kongresi, duke u takuar me disa prej komisioneve më të rëndësishme, si i jashtmi, i ligjeve dhe mjaft kongresmenë të shquar, të cilët merren me Shqipërinë dhe me Evropën.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, tema e terrorizmit patjetër është një përparësi e politikave të Shqipërisë, por ka një numër problemesh me të cilat ndeshet Shqipëria. Kohët e fundit keni paraqitur edhe propozimet në Komisionin e Venecias për reformat në drejtësi. Reformat që janë paraqitur në këto propozime sjellin gati një përmbysje të sistemit aktual. Ju si i shihni këto propozime?
Ilir Meta:
Padyshim që është e domosdoshme të bëhet një ndryshim rrënjësor në sistemin e drejtësisë. Kjo është edhe arsyeja përse ka një angazhim kaq të madh të mazhorancës, por uroj edhe të opozitës në këtë drejtim. Sikurse ju e përmendët me të drejtë tashmë Komisioni i Venecias do të shprehet për ndryshimet kushtetuese që propozohen për t’i hapur rrugë kësaj reforme dhe unë jam i bindur që me këtë vullnet politik ne do të arrijmë të bëjmë një ndryshim rrënjësor që të ndihet në radhë të parë tek qytetarët e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Por vullneti politik ka munguar deri tani sepse Shqipëria mori një notë, duhet të themi, negative për sa i përket avancimit të negociatave për hyrjen në Bashkimin Evropian dhe Thembra e Akilit ka qenë vazhdimisht jo vetëm klima politike, por në radhë të parë drejtësia, mosavancimi i kësaj reforme. Si e gjykoni punën e qeverisë deri tani, ju jeni dy vjet në këtë koalicion, pra si e gjykoni punën e qeverisë në këtë drejtim?
Ilir Meta:
Të mos harrojmë që në këto dy vjet Shqipëria mori statusin e vendit kandidat. Së dyti, është e qartë që miratimi i ndryshimeve kushtetuese për sa i takon reformës në fushën e drejtësisë, do t’i japë një shtytje të fuqishme hapjes së negociatave të Shqipërisë. Shpresojmë që edhe progres-raporti do të reflektojë hapat pozitivë që ka bërë vendi.   Ne këto probleme i dimë, këto probleme po i adresojmë. Jemi të bindur se vendi do të shënojë progres edhe në këto fusha kritike si korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar e kështu me radhë.

Zëri i Amerikës: Po sinjalet nuk janë aq të mira, duke qenë se ju keni qenë në Komisionin e Reformës. Duke qenë i brendshëm vetë përse nuk dolët me një variant të njëjtësuar? Fakti që keni dalë me variantin tuaj tregon që akoma ka divergjenca dhe ky proces mund të zgjasë shumë dhe të mbajë peng reformën në drejtësi, që është parakusht për avancimin e negociatave.
Ilir Meta:
Së pari duhet të kemi parasysh që varianti ka qenë një variant i ekspertëve, nuk ka qenë një variant i partive apo mazhorancës dhe jam i bindur që propozimet e deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë mjaft konstruktive dhe ndihmojnë në avancimin e reformës, ashtu sikurse nuk paragjykojmë edhe propozimet e të gjithë faktorëve të tjerë.

Zëri i Amerikës: Si janë relatat brenda koalicionit qeverisës? Ju keni folur disa herë për ato që i quani impulse në qeveri. A shihni në të ardhmen një riorganizim të krerëve të kabineteve?
Ilir Meta:
  Impulset nuk kanë të bëjmë me emrat dhe kjo është e keqja që në Shqipëri gjithçka personalizohet edhe në politikë, por edhe në komunikimin publik, por kanë të bëjmë me domosdoshmërinë për të shtuar energjitë dhe për të arritur rezultate më të prekshme, pasi, kuptohet që sfidat janë shumë të mëdha. Nuk janë sfida thjesht të Shqipërisë, janë sfida të rajonit tonë, janë sfida të Bashkimit Evropian që është një partner shumë i rëndësishëm për ne. Dhe në këtë drejtim absolutisht që rritja e vështirësive kërkon edhe shtimin e energjive dhe të impulseve.

Zëri i Amerikës: Si e gjykoni qeverisjen Rama në lidhje me ekonominë? Ekonomia mbetet një problem shumë i madh për Shqipërinë dhe duket se popullata po ju jep një votë të zëshme negative me ikje masive, me largime, me problemin e ISIS-it, që në shkallë të gjerë komentohet si një nevojë ekonomike që i detyron disa njerëz të shkojnë andej. Ju flisni për përparim, por konkretisht çfarë note do t’i vinit qeverisjes Rama në drejtim të ekonomisë?
Ilir Meta:
Së pari, nuk jam mësues që të vë nota. Së dyti, jam edhe pjesë e kësaj qeverisjeje dhe e këtij koalicioni dhe njëkohësisht i gatshëm për të njohur edhe përgjegjësitë e mia por edhe të forcës politike që unë përfaqësoj. Por nuk duhet të harrojmë se kjo qeveri e mori në një situatë mjaft të vështirë. Nuk duhet të mendojmë që kjo qeveri është përgjegjëse për krizën greke, është përgjegjëse për këtë situatë të vështirë ekonomike apo financiare të Eurozonës dhe partnerëve tanë kryesorë. Të mos harrojmë se Italia, që është partneri ynë kryesor dhe drejt së cilës shkojnë shumica e eksporteve tona, nuk ka një situatë të shkëlqyer ekonomike. Pra, ka shumë faktorë të jashtëm, ka shumë presion të jashtëm. Por, absolutisht që shumë më tepër duhet të bëhet në këtë drejtim. Ky ka qenë, është dhe do të jetë shqetësimi im kryesor, sepse edhe reformat e tjera duhet të synojnë pikërisht në rritjen ekonomike të vendit në radhë të parë dhe në një shpërndarje sa më të drejtë të saj, në mënyrë që të përmirësohet jeta dhe standardi i qytetarëve tanë. Kështu që, pa vendosur asnjë notë, patjetër që mund të them se duhet të bëjmë shumë më tepër për rritjen ekonomike të vendit dhe të kemi kurajë edhe të mësojmë nga ndonjë vend fqinj siç është edhe rasti i Maqedonisë, ku vazhdimisht kam insistuar për të mësuar nga eksperiencat e tyre, të cilët pavarësisht nga problemet e mëdha politike që kanë pasur apo që mund të kenë, kanë arritur të tërheqin investime të huaja mjaft serioze dhe të jenë mjaft atraktivë, edhe pse nuk i kanë mundësitë tona. Unë besoj se qeveria do ta ketë në vëmendje këtë gjë, në mënyrë që vërtetë ne, në këtë kohë të përgjithshme, që karakterizohet nga vështirësi, nga mungesë fondesh, nga probleme mjaft të mëdha për të gjetur financime, të arrijmë ta rrisim ekonominë tonë në potencialet e saj të zhvillimit. Sepse nuk mund të pretendojmë ta rrisim mbi potencialet e saj të zhvillimit.  

Zëri i Amerikës: Kriza në Evropë, filloi në 2008-ën menjëherë pas krizës në Amerikë, megjithatë në korrik ju keni pas mbi 7 mijë vet që kanë ikur – që kanë kërkuar azil në Gjermani, jo thjesht kanë ikur. 7 mijë e ca janë të regjistruar vetëm në Gjermani. Këto vende që ju i quani në krizë që janë partnerët tuaj për eksportet e Shqipërisë , këto vende po presin shqiptarët që kërkojnë një jetë më të mirë dhe ikin thjesht për nevojë ekonomike. Sot asnjëri nuk ikën më për mungesë dritash, e për fjalë të lirë e për dëshirën për të shkuar në Evropë. Këto janë të gjitha në Shqipëri. Ju keni një problem ekonomik që është ngritur dhe po ngrihet me shqetësim nga gjermanët që janë detyruar të thonë që do i kthejmë këto njerëz. Meqë përmendët vetë nevojën që vendi të ketë një zhvillim sa më të barabartë, të sjell një ndarje sa më të barabartë të përparimit që do të realizohet, desha t’u bëj një pyetje disi personale: klasa politike në Shqipëri, që shpalos një mënyrë jetese dhe një luks të jashtëzakonshëm. A ndjeheni ndonjëherë nën presionin e publikut, këtij publiku që ikën përditë, që ka një minimale të jetesës tek 5 dollarëshi në ditë, a ka ndonjëherë diçka që ju prek, ju kap në gjithë këtë shpalosje luksi dhe ekstravagance do të thosha.
Ilir Meta:
Nuk e di për çfarë luksi ju e keni fjalën…

Zëri i Amerikës: Për mënyrën tuaj të jetesës, për shtëpinë e pushimit, për makinën, për pushimet ku i bëni, për …
Ilir Meta: Unë kam makinë të shtetit zonjë, por ju nuk jeni informuar mirë, kështu që nuk jam këtu për t’u marr…

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, unë besoj se shikuesit tanë e gjykojnë atë që shohin me sytë e tyre përditë. Shqipëria është e vogël. Edhe besoj që kam detyrimin profesional t’ju ngre një shqetësim që e marrim përditë. Pyetja e vetme që marrim, ekskluzive për çdo politikan këtu është: Klasa politike e Shqipërisë duhet të largohet, ata po e mbajnë peng këtë vend pasi janë të gjithë të korruptuar. Them nga ana personale a e ndjeni ndonjëherë presionin, a ju vjen ndonjëherë siklet nga gjithë ajo që thuhet. A ndjeni dëshirën për të thënë: mjaft më! Dua të sqarohem, dua të lahem….
Ilir Meta:
Po përderisa ju nga ana personale merrni përsipër të flisni në emër të gjithë popullit shqiptar…

Zëri i Amerikës: Jo, nga ana e shikuesve që na shkruajnë përditë…
Ilir Meta:
Po pra dakord, nga ana profesionale, unë nuk mund të merrem me gjëra të tilla personale dhe ta ul nivelin e bisedës në këtë nivel. Unë jam politikan i cili jeton në Shqipëri, i cili vlerësohet dhe gjykohet nga shqiptarët, mund të vlerësohem edhe nga ata që ju kanë dërguar ju mesazhe të tilla por vlerësohem edhe nga ata që votojnë për këtë forcë politike. Ndërsa për sa i takon makinës nuk kam asnjë makinë personale…’

Zëri i Amerikës: Megjithatë, emri juaj është lakuar disa herë lidhur me afera korruptive; ju keni thënë vetë, nuk përmendet emri im në veçanti, megjithatë, kur mblidhen një e një që bëjnë dy, një kryeministër që më parë është akuzuar për korrupsion, kush tjetër mund të jetë në çështjen ÇEZ dhe DIA, në lidhje me marrëdhëniet mes tyre. Kjo ishte një nga aferat e fundit që u përmend.
Ilir Meta:
Si ishte kjo akuzë? Se i paskeni shumë keq informacionet.

Zëri i Amerikës: Qe një kompani që kishte lidhje me ju, përfitonte nga kontrata që mori DIA nga ÇEZ-i…
Iliri Meta:
Po, dhe nga provohet kjo?

Zëri i Amerikës: Kjo ka dalë nga një dokument i BIRN-it që është marrë nga firma… Unë besoj se të gjithë shqiptarët e kanë lexuar atë informacion.
Iliri Meta:
  Kjo është e keqja juaj, që unë kam marrë 260 mijë vota dhe nuk do të flas do në emër të gjithë shqiptarëve, jam i kujdesshëm të flas në emër të atyre që kanë votuar për mua, kurse ju flisni në emër të të gjithë shqiptarëve për një mashtrim publik…

Zëri i Amerikës: Jo, për një njoftim në media, që një firmë që përfaqëson qeverinë shqiptare ka përmendur një ish-kryeministër…
Iliri Meta:
  Unë do t’ju jap juve dokumentin e firmës, e cila ka bërë publik.

Zëri i Amerikës: Do të kishim shumë kënaqësi ta kishim pasur
Ilir Meta:
Por ju duhet ta kishit të qartë kur bëtë këto pyetje, që ajo nuk ka pas shkrime të manipuluar, ka bërë të qartë që nuk përmendet emri i zotit Meta në asnjë rast për këtë çështje dhe ish-kryeministrit që ka përfituar në këtë çështje i ka dalë emri, ka dalë dokumenti; mund ta jap edhe unë, edhe pse s’e kam zakon të përmend emra, ju e paskeni këtë kurajë të përmendini emra. Është e drejta juaj, me sa duket duhet ta filloni gazetarinë nga e para.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, një fakt që mbetet thembra e Akilit, korrupsioni. Ngrihet problemi me drejtësinë, me mosgjykimin e akuzave që bëhen.
Ilir Meta:
Shqipëria e paska zgjidhur problemin e korrupsionit, se mund t’ju marr ju t’ju vë prokurore të përgjithshme dhe ju e zgjidhni në emër të popullit.

Zëri i Amerikës: Pyetje të këqija nuk ka, ju mund t’i sqaroni, unë mund të jem e painformuar.
Ilir Meta:
Nëse flasim nga ana profesionale për lajme, të cilat publikisht janë konfirmuar, që janë të pavërteta, nëse ju flisni në emër të kësaj kompanisë që ka mbrojtur gjoja qeverinë shqiptare, kur ajo ka bërë një sqarim publik dhe zyrtar dhe ju nuk paskeni, atëherë mua më vjen shumë keq.

Zëri i Amerikës: Ajo thjesht thotë që nuk e kemi përmendur me emër zotin Meta. Asnjëherë nuk thotë që nuk bëhet fjalë.
Ilir Meta:
Nuk e ka përmendur asnjëherë zotin Meta për asnjë transfertë, apo praktika korruptive lidhur me këtë çështje. Kjo është kështu të lutem dhe ish-kryeministri e ka emrin, ka pasur një aktivitet të tijin privat, gjërat janë bërë publike, ju nuk i dini këto gjëra, atëherë më vjen keq për profesionalizmin tuaj.

Zëri i Amerikës: Atëherë pse lakohet emri juaj, pse tërhiqni një vëmendje të tillë negative, a ka një arsye personale, apo inat personal që kanë gazetarët me ju?
Ilir Meta:
Më vjen për të qeshur se jetoni në Amerikë. Sa herë që del emri i Klintonëve këtu për këto probleme…

Zëri i Amerikës: Jo për korrupsion të tillë.
Ilir Meta:
Kur zoti Meta nuk do të jetë  në politikë, patjetër që nuk do të dëgjoni për zotin Meta. Por kjo është një gjë që e vendosin qytetarët shqiptarë, nuk vendoset nga askush tjetër.

Zëri i Amerikës:  Qytetarët shqiptarë po ikin përditë. Me aktet e tyre po tregojnë që kanë humbur besimin, në Transperancy International në anketa del gjithmonë mungesa e besimit tek qeveritarët. Ju nuk e ndjeni këtë si politikan veteran që jeni?
Ilir Meta:
Unë natyrisht që ndiej atë përgjegjësi që kam, por mendoj që është gjëja më e lehtë që të flasim në mënyrë populiste, por duhet të tregohemi më realistë, sepse kemi edhe nga vendet anëtare të BE-së që ikin në vende më të zhvilluara, si në rastin e Gjermanisë, por kjo nuk do të thotë që këto vende kanë probleme që meritojnë një karakterizim të tillë edhe të përfaqësimit të tyre politik. Ne nuk duhet t’i gënjejmë njerëzit dhe t’u krijojmë iluzione e gjërat do të ndryshojnë në mënyrë të shpejtë dhe në mënyrë të jashtëzakonshme, duke ndryshuar disa politikanë që janë përgjegjës.  

Zëri i Amerikës: Po ju erdhët në pushtet dy vjet përpara me premtimin që gjërat do ndryshojnë. Ju jeni kryetar i Parlamentit, ju ndani fondet për përparësitë e qeverisjes në Shqipëri, pra një përgjegjësi institucionale e keni…
Ilir Meta:
Çdo gjë ndahet në mënyrë transparente. Dhe një nga arsyet që jemi këtu është për të forcuar bashkëpunimet me Institutin Demokratik Amerikan lidhur me programet e transparencës në Parlament…

Zëri i Amerikës: Shpresoj të dëgjoj në të ardhmen prej jush. Ju uroj suksese gjatë qëndrimit në Washington.
Ilir Meta:
Faleminderit shumë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY