Eduard Kukan: Testi i drogës?! Të gjithë politikanët duhet të jenë të...

Eduard Kukan: Testi i drogës?! Të gjithë politikanët duhet të jenë të pastër!

67
0
Shares

Europarlamentari Eduard Kukan thotë se është informuar nga kolegu i tij Knut Fleckenstain se në Shqipëri ka “pak progres” për sa i takon reformës në drejtësi dhe dekriminalizimit. Por ai thotë se është habitur kur i është thënë se vështirësi ka krijuar testi i drogës. Sipas tij, të gjithë politikanët duhet të jenë të pastër, diskutim për të cilin thotë se nuk duhet të vazhdojë, dhe kjo për imazhin e Shqipërisë.

Ka zëra se ju mund të merrni kryesimin edhe për delegacionin me Shqipërinë, meqë po diskutohet zëvendësimi i zonjës Macovei. Sa e vërtetë është kjo?
Eduard Kukan:
Jo, jo. Kjo çështje është shumë e freskët dhe do të jetë pjesë e diskutimit për grupet politike. Unë besoj se ky pozicion i takon PPE-së, sepse në fillim të Parlamentit pati negociata mjaft të vështira dhe si rezultat u arrit kjo marrëveshje mes partive politike. Prandaj, me daljen e zonjës Macovei nga familja jonë politike për t’iu bashkuar Konservatorëve dhe Reformistëve, mendoj se është e arsyeshme dhe logjike që ky pozicion t’i kthehet PPE-së dhe pres që Zoti Brok, të cilit i takon t’i bëjë këto negociata, të flasë me homologët e grupeve të tjera. Për sa më takon mua, kjo është e nxituar sepse unë jam aktualisht drejtues i delegacionit për Serbinë dhe ka mjaft eurodeputetë të aftë brenda grupit që kërkojnë të marrin ndonjë pozicion dhe nuk do të ishte e ndershme që ta merrja unë këtë post. Jam i interesuar për Shqipërinë. Kam mjaft ekspertizë, me gjithë modestinë. E njoh vendin, e pëlqej atë dhe i dua njerëzit, por në këto rrethana ajo që do të kërkoj është që, nga anëtar zëvendësues i Delegacionit për Shqipërinë, siç jam aktualisht, të bëhem anëtar me të drejta të plota dhe do të luftoj për këtë. Por jo për të qenë kryetar delegacioni, pasi do të ishte e tepërt dhe kjo kërkon shumë konsiderime politike me liderët tanë.

Ju deklaruat në Madrid se dekriminalizimi është i domosdoshëm për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit dhe raportuesi Fleckenstein beson se vitin tjetër do të bëhet rekomandimi pozitiv i Komisionit, institucioni që nuk ka publikuar ende as raportet e progresit të këtij viti. A biseduat me të pas vizitës në Tiranë për mënyrën e ndërhyrjes tek partitë politike shqiptare për të arritur një qasje të përbashkët mbi reformën e drejtësisë, përfshirë dhe dekriminalizimin?
Eduard Kukan:
Ne kishim rënë dakord që pasi ai të kthehej nga Tirana të uleshim për të vlerësuar situatën dhe për të parë se si mund të ishim të dobishëm për Shqipërinë, sepse reforma e drejtësisë dhe dekriminalizimi janë procese që nuk duhet të flenë por duhen përmbyllur. Dëgjova se ka pak progres, por u habita që krijojnë vështirësi këto lloj çështjesh, si testi i drogës. Nuk mendoj se duhet të jetë kaq problem i madh. Ka një gjë që nuk shkon kur kjo kundërshtohet nga dikush, sepse normalisht të gjithë politikanët duhet të jenë të pastër mbi këtë çështje. Ndaj jam disi i befasuar që u bë kaq problem i vështirë. Imazhi i Shqipërisë ka disa tipare dhe unë nuk mendoj se diskutimi mbi testin e drogës duhet të vazhdojë. Por sa më shpejt të zgjidhet, aq më mirë është për vendin. Unë nuk mendoj se është e domosdoshme të thuhet se kur Shqipëria të trajtojë dekriminalizimin, atëherë mund të nisin negociatat për anëtarësim. Nëse e kam thënë këtë, jam shprehur gabim. Për mua, të gjitha aspektet e tablosë, 5 kriteret e kërkuara nga Komisioni, lufta ndaj korrupsionit e me radhë, janë çështje për t’u konsideruar së bashku. Shpresoj që së shpejti të kemi dhe raportin e progresit, sepse kemi një situatë speciale këtë vit, që s’ka ndodhur kurrë më parë. Mbaj mend se paketa e zgjerimit normalisht publikohej rreth datës 10 tetor. Mbase kjo situatë vjen për shkak të Turqisë dhe trajtimit të refugjatëve, por më 5 nëntor, kur të paraqitet në Kolegjin e Komisionerëve, besoj se do të publikohet. Por dua të theksoj një pikë kur flasim për negociatat e mundshme në 2016-n. Më kujtohet se Serbisë iu caktua data për çeljen e tyre, më 1 mars dhe kjo do të thotë se nëse plotësohen gjërat e kërkuara, Komisioni do të jetë në gjendje të bëjë rekomandimin e tij, propozimin, edhe përpara fundit të vitit dhe politikanët shqiptarë duhet ta kenë parasysh këtë.

Nisur nga përvoja juaj në PE, por dhe në qeverinë sllovake, si mund të sinkronizohen reformat ekonomike me masat fiskale dhe politikat sociale në një vend të vogël si Shqipëria, pa dhënë përshtypjen se funksionon më shumë “druri se karota”?
Eduard Kukan:
Nga përvoja ime personale është e vështirë. Është e vështirë të paraqesësh dhe të zbatosh masat ekonomike. Në Sllovaki për shembull, ne i futëm të gjitha njëkohësisht, me mendimin se duhen zgjidhur të gjitha problemet me një  operacion. Kjo ishte shumë e ashpër për qytetarët. I bëri ata më të pakënaqur përkohësisht, për 2-3 vjet, derisa ata e kuptuan se ato ishin të nevojshme. Ndaj, këshilla ime do ishte që të jenë realistë. Të mos luajnë shumë me tonet populiste. T’i shpjegohet popullit se në plan afatgjatë, kjo jep fryte për të ardhmen. Për mua, duhet vazhduar përpara me këto reforma njëkohësisht dhe jo hap pas hapi, duke zbatuar një paketë reformash ekonomike dhe t’i shpjegohet njerëzve e vërteta se kjo nuk bëhet për Brukselin dhe BE-në, por sepse është në të mirën e së ardhmes së shqiptarëve.

(“Top Channel”)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY