Pothuajse të gjitha televizionet kryesore në vend kanë parë një rënie të të ardhurave në vitin 2014 e cila ka vijuar edhe në vitin 2015, sipas të dhënave të raportuara në bilanc, ndonëse numri i spoteve të transmetuara, sipas monitorimeve nga IDRA Media, rezulton në rritje. Dy janë arsyet që kanë ndikuar në këtë tendencë. Së pari, 2013-a u ndihmua nga zgjedhjet e përgjithshme, një faktor i përkohshëm që shtoi të ardhurat e televizioneve. Së dyti, ndonëse numri i spoteve u rrit, televizionet nxituan të bënin oferta në përpjekje për të mbajtur reklamuesit, çka u reflektua në më pak të ardhura.
Top Channel
Top Channel mbetet televizioni më i madh në vend sipas të ardhurave, me një xhiro të deklaruar prej 1.6 miliardë lekësh, me një tkurrje prej gati 8% në raport me një vit më parë. Numri i spoteve të transmetuara në 2014 ishte pothuajse i njëjtë me 2013-s, sipas të dhënave nga Idra Media (shih grafikun: Televizionet kryesore, sipas numrit të spoteve të transmetuara, 2014). Teksa të ardhurat kanë rënë dhe shpenzimet janë rritur (si ato të personelit ashtu dhe të veprimtarisë së shfrytëzimit), Top Channel ka rezultuar me fitime minimale prej 15 milionë lekësh (para taksave), nga rreth 141 milionë lekë në 2013-n.
TV Klan
Televizioni i dytë më i madh në vend nga të ardhurat është TV Klan, me një qarkullim vjetor prej 850 milionë lekësh, edhe ai me një rënie prej 10% me bazë vjetore, sipas bilancit të dorëzuar te Tatimet, edhe pse numri i spoteve sipas Idra Media është rritur në 2014. Drejtori i Marketingut të TV Klan, Eptan Lohja, pohoi se ulja e të ardhurave ka ardhur si efekt i krizës. “Ka një tkurrje të buxheteve të të gjitha kompanive”, tha ai, duke shtuar se edhe për 2015-n nuk po sheh ndonjë dritë jeshile.
Në vitin 2014, TV Klan rezultoi me një fitim prej 175 milionë lekësh, nga 303 milionë lekë vitin e mëparshëm.
Vizion Plus
I treti televizion më i madh në vend është Vizion Plus, që ka parë një rënie të të ardhurave me 6%, në 414 milionë lekë. Kjo tkurrje ka ardhur, pavarësisht se numri i spoteve të transmetuara është rritur me gati 20%, sipas të dhënave të Idra Media.
Edhe Vizion Plus nuk i ka shpëtuar tkurrjes së fitimeve, që kanë zbritur në 3 milionë lekë, nga rreth 23 milionë lekë në 2013-n.
Shtypi i shkruar, vetem pak mbijetojne
Prej vitesh, shtypi i shkruar po vuan jo vetëm konkurrencën nga interneti, që po i largon lexuesit tradicionalë, por edhe shkurtimin e buxheteve nga reklamuesit.
Në bazë të monitorimeve të Idra Media, të ardhurat nga reklamat e shtypit të shkruar vlerësohen në rreth 3 milionë euro në vitin 2014, me një rënie vjetore prej rreth 9%.
Në bazë të të ardhurave, grupi më i madh i medias së shkruar është Panorama Group (me median kryesore gazeta Panorama, më e madhja në vend nga tirazhi, dhe Panorama Sport) me një qarkullim vjetor prej 256 milionë lekësh, duke shënuar rritje prej vetëm 0.5% me bazë vjetore. Grupi ka rezultuar me fitime minimale (para taksave) prej 340 mijë lekësh nga 7.8 milionë lekë të një viti më parë. 27% e të ardhurave erdhën nga reklamat 71% nga shitjet, sipas burimeve nga grupi. Kompania ka punuar të përmirësojë arkëtimet duke shmangur në minimum mospagesat, duke qenë mjaft e vëmendshme në administrimin e të ardhurave (për reklamuesit që kanë qenë problematikë në të kaluarën kërkohet edhe parapagim).
Media e dytë më e madhe në vend Unipress (gazeta Shekulli dhe publikime të tjera të grupit) ka parë një ulje të qarkullimit vjetor me 21% në 89 milionë lekë. Pavarësisht rënies së të ardhurave, grupi ka rezultuar me një fitim prej 9.6 milionë lekësh, nga humbjet prej 3.6 milionë lekësh në 2013-n.
Gazeta Shqip ka parë një ulje të lehtë të të ardhurave në 2014-n me rreth 3% në rreth 66 milionë lekë. Edhe fitimi i saj ka rënë ndjeshëm, nga 3.9 milionë lekë në 2013, në 605 mijë lekë në 2014-n.
Shqiptarja.com është media e shkruar dhe online me ecurinë më të mirë në 2014-n, duke u rritur me 60%, sipas bilancit të saj zyrtar, për të arritur një qarkullim vjetor prej 49 milionë lekësh. Fitimi para taksave u zgjerua ndjeshëm, nga 465 mijë lekë në 4.3 milionë lekë. Ornela Liperi
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/