DEUTSCHE WELLE/ Shqipëria e raskapitur mes korrupsionit dhe papunësisë ekstreme

DEUTSCHE WELLE/ Shqipëria e raskapitur mes korrupsionit dhe papunësisë ekstreme

68
0
Shares

Sipërmarrësit Arbër e Flori Uka

Shqipëria është raskapitur mes korrupsionit dhe papunësisë ekstreme. Në njëzet vitet e fundit rreth një e katërta e popullsisë është larguar nga vendi. E megjithatë ka edhe disa që nuk duan të dorëzohen.


Gjendja në Shqipëri është deprimuese. Ky vend i vogël i Europës është i dërmuar mes korrupsionit dhe papunësisë ekstreme. Shumë shqiptarë i kanë humbur shpresat në vendin e tyre dhe përpiqen çdo vit të kërkojnë një të ardhme në Gjermani apo në vende të tjera të Europës. Në njëzet vitet e fundit rreth një e katërta e popullsisë është larguar nga vendi. E megjithatë ka edhe disa që nuk duan të dorëzohen. Dy sipërmarrës të rinj me ide të mira biznesi dhe me mjaft durim luftojnë për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.
Ata janë arkitektja Pezana Rexha me sipërmarrjen e saj sociale dhe vëllezërit Arbër dhe Flori Uka, të cilët po korrin frytet e biznesit të tyre me një fermë me produkte biologjike në periferi të Tiranës dhe me një kantinë vere.

pezana rexha

Sipërmarrësja Pezana Rexha

Edhe pak javë Pezana Rexha pret fëmijën e parë, megjithatë ajo ende është në punishte, aty ku është përgatitur tashmë edhe krevati për beben e saj. Ajo vet nuk punon në punishte, por si arkitekte që ka studiuar në Tiranë ka tashmë dy vjet që projekton me sukses mobilie për aredim interirorësh.
Fillimisht nisur nga vështirësitë për aredim të veçantë i lindi ideja për të krijua diçka vetë thotë ajo.
“Unë dikur kisha probleme të mëdha që të gjeja mobile të përshtatshme për klientët për mjediset e tyre të brendshme. Të gjitha ishin prodhime nga Kina e dukeshin njësoj. Ndaj vendosa që t’i prodhoj vet mobiliet”.
Por ka edhe veçori të tjera që e bëjnë tërheqëse sipërmarrjen e saj, ato nuk janë mobilie dosido, por të prodhuara nga dru i përdorur. Aktualisht në punishte ka 13 të punësuar. Por Pezana i punëson me një qëllim të caktuar pikërisht ata njerëz, që e kanë të vështirë të kenë akses në tregun normal të punës në Shqipëri: sepse ata kanë aftësi të kufizuara apo diskriminohen si romë. Por ajo punëson edhe pensionistë, që nuk mund të jetojnë me pensionin e ulët.
Që të binde me këtë klientët ajo nuk e pati të lehtë.
“Në fillim ishte shumë e vështirë. E nuk ishte aspak e lehtë që t’u sqaroje klientëve, se cila është ideja sociale e sipërmarrjes. Shumica nuk e besonin, ose nuk ishin dakord me këtë. Sepse paragjykonin, që njerëzit nga grupet e skajeve të shoqërisë nuk mund të bëjnë punë cilësore”, thotë Pezana Rexha.

dw2

 

Një sfidë kjo. Shumë njerëz duan të largohen nga Shqipëria, e shumë syresh janë larguar ndërkohë. Kur ishte fëmijë Pezana me familjen e saj ka qenë vet jashtë vendit: në Gjermani e në Greqi. Por tani për të ky nuk është më një opsion. Ndonëse në Shqipëri nuk është e lehtë, sepse korrupsioni dhe mungesa e perspektivës janë në rend të ditës. Një sipërmarrëse me orientim social si Pezana përbën një përjashtim dhe ajo preferon të përballet me vështirësitë
“Unë jam e ambientuar me vështirësitë. Kur s’ka vështirësi për mua bëhet e mërzitshme. Ndaj jam këtu. Sepse në Tiranë ka vështirësi dhe mua më pëlqen t’u bëj ballë atyre”, thotë ajo.
Pak kilometra larg Tiranës në një zonë rurale. Flori dhe Arbër Uka kanë studiuar jashtë shtetit. Por ata janë kthyer, ndonëse kanë pasur jashtë edhe oferta pune. Tani të dy vëllezërit janë sipërmarrës dhe menaxhojnë një fermë të vogël – me zarzavate biologjike, me vreshta dhe me një restorant të vetin. “Këto janë kohë të vështira për Shqipërinë, pa asnjë mëdyshje. Por nëse do të ndërtosh diçka, atëherë kjo duhet bërë tani. Nëse punët shkojnë më mirë, atëherë mund të korrësh frytet e punës tënde”, thotë Arbër Uka.
“Unë këtu e kam vendin. Jashtë shtetit nuk jam askushi, por këtu jam diçka”, shton më tej Flori Uka.

arber uka

Sipërmarrësi Arbër Uka

Ata ende paguajnë kredinë, indinjohen me burokracinë, taksat dhe kushtet e biznesit. Por vëllezërit Uka janë krenarë, veçanërisht për verën e tyre, edhe pse vera shqiptare e ka të vështirë edhe në tregun vendas.
“Kjo këtu nuk është si në investimet tipike në Shqipëri, ku synohet vetëm të bësh sa më shpejt para. Mua mu desh vërtetë shumë durim, por tani e shoh suksesin. Vera është e mirë dhe shitja e saj ecën mirë. Ky është rezultat i një pune të vështirë e këmbëngulëse”, vijon Flori Uka.
Një lokal në qendër të Tiranës ka qenë njëri prej projekteve të para të Pezana Rexhës. Sot janë disa lokale, bare e kafene, që në një pjesë të madhe janë areduar si rezultat i punës së saj.
Por Pezana synon më shumë.
“Unë do të kisha dëshirë të kem një fabrikë më të madhe, me 1000 punonjës – kjo është ëndrra ime. Po ashtu dua disa filiale në Shqipëri, në Ballkan e në Europë. Unë dua të tregoj, se mund t’ia dalësh, edhe pse vjen nga një vend i vogël si Shqipëria”, thotë ajo.
Ka shpresa të mëdha në Tiranë e janë edhe këta sipërmarrës të rinj, që tregojnë, se edhe në Shqipëri shumë gjëra janë të mundshme.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY