Takimi i kryeministrit Rama me ambasadorët Lu dhe Vlahutin sot pasdite është zhvilluar për cështjet e reformës por në kushtet e një realiteti të ri.
Raportet brenda mazhorancës nuk janë më të mira dhe nuk bëhet fjalë thjesht për sherre të momentit por për një carje që mund të ketë pasoja. Pavarësisht se Rama deklaroi një natë më parë se qeveria po funksiononte shumë mirë, sot vetëm një ditë më pas, Kryetari i LSI-së ka thirrur ministrta e tij në zyrë dhe i ka paralajmëruar për lëvizje të forta.
Praktikisht ministri i Drejtësisë nuk vepron më si pjesë e trupës qeveritare por si një seksion i pavarur i mazhorancës me objektiva të tjera. Ai është lakmuesi për të kuptuar se cfarë ka ndërmend Meta.
Ky i fundit, kryetari i LSI-së, ka deklaruar qartë se nuk voton reformën nëse nuk arrihet një konsensus i qartë i tre aktorëve kryesorë të politikës. Për herë ta parë ai ka përmendur edhe mundësinë e referendumit, dhe dihet se në referendum një gjë është e sigurtë, nuk fiton varianti i PS-së.
Nëse reforma është në ngërc, kjo vjen kryesisht se qeveria është në ngërc. Edi Rama ka shfletuar sërish dosjen e Ilir Metës dhe ka gjetur atje të dhëna të reja që do të përcillen në gjykatë javën që vjen. Përvec përgjimit të telefonatës, brenda saj ka edhe elementë të tjerë. Avokati i Kastriot Ismailajt ka kërkuar që dosja të pastrohet dhe kjo do të jetë edhe kërkesa e parë e tij në procesin gjyqësor ndaj biznesmenit që akuzohet për pastrim parash.
Ish-kryeministri Berisha ka gjithë ditën që lajmëron se qeveria Rama-Meta nuk egziston më. Si politikan i regjur ai është në gjendje të parandjejë sizmika më shpejt se të tjerët.
Ndërkohë vetë PD ka pushuar luftën ndaj Ilir Metës në deklaratat e saj duke u përqëndruar tek Kryeministri.
Në këto rrethana takimi i Ramës me dy ambasadorët më të rëndësishëm në Tiranë ka enigma. A i është kërkuar Ramës të ruhet koalicioni deri në përfundimin e reformës zgjedhore dhe a do t’i kërkohet kjo edhe Metës?
Ambasadorët hezituan të flisnin pas takimit ndryshe nga shumica e rasteve të ngjashme.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/