ALEKSANDËR MEKSI/ 50 deklaratat më të rëndësishme

ALEKSANDËR MEKSI/ 50 deklaratat më të rëndësishme

76
0
Shares

Gazetari Roland Qafoku, ka veçuar 50 deklaratat, ndër më pikantet dhe të rëndësishmet të ish-kryeministrit Aleksandër Meksi, të bëra në këto 25 vjet.

1.
JANAR 1991, për gazetën “Rilindja Demokratike”
“PD qysh me krijimin e saj shprehu publikisht opinionin e vet për domosdoshmërinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve, caktuar më 10 shkurt 1991. Presidiumi i Kuvendit Popullor duhet të vinte veten mbi partitë. Megjithëse ka ende kohë që ky organ i lartë të heqë dorë nga një qëndrim i tillë që pengon vendosjen e pluralizmit të vërtetë në Shqipëri. Hyrjen në rrugën e vërtetë të demokratizimit dhe përmirësimit të gjendjes ekonomike si dhe të kuptojë se zgjedhjet e shpejtuara nuk do të jenë gjë tjetër veçse një farsë elektorale e veshur me petkun e pluralizmit politik”.

2.
MAJ 1992, fjalë e mbajtur në simpoziumin për tranzicionin, Romë, Itali
“Ne nuk duam të vrasim ata që janë për socializmin, por jemi kundër ndërtimit të shoqërisë socialiste të ndërgjegjshëm se 46 vjet këtu dhe 70 vjet e ca në Bashkimin Sovjetik mjaftojnë për të demonstruar idetë tona”.

3.
MAJ 1992, fjala e mbajtur në simpoziumin për tranzicionin, Romë, Itali
“Për sa i përket ndihmave ushqimore, qeveria shqiptare i bën thirrje Komunitetit Evropian e nëpërmjet saj G24 që kjo ndihmë të jetë e vazhdueshme dhe të përfshijë përveç grurit, miellit, gjalpit, dhe qumështit pluhur edhe vajin vegjetal, sheqerin, sapunin dhe orizin”.

4.
GUSHT 1992, gjatë takimit me kryeministrin e Serbisë, Milan Paniç
“Si shqiptarë, si një vend ballkanik, ne e kuptojmë se është e domosdoshme të zgjidhet çështja e Kosovës në përputhje me vullnetin e popullit shqiptar në Kosovë. Dhe rruga më e mirë që mund të zgjidhet është dialogu ndërmjet përfaqësueseve legjitimë të Kosovës dhe qeverisë serbe në prani të të tretëve”.

5.
SHTATOR 1992, konferencë për shtyp, OKB, New York
“Qeveria demokratike shqiptare filloi të qeverisë vendin në një moment mjaft të vështirë, duke trashëguar një ekonomi të shkatërruar nga sistemi monist dhe nga centralizimi i tepruar. Megjithatë, prioritetet e qeverisë janë tre: vendosja dhe stabilizimi i rendit, i ci1i tashmë ka marrë rrugë,   integrimi i ekonomisë drejt ekonomisë së tregut dhe orientimi i politikës së jashtme drejt hapjes me botën, për t’u shkëputur nga vetizolimi”.

6.
SHTATOR 1992, konferencë për Shtyp, në OKB, New York
“Lidhur me Kosovën, ne jemi për parimin e vetëvendosjes së popujve e këtë gjë ua kemi bërë të qartë të gjitha forumeve ndërkombëtare dhe qeverive të vendeve mike në kuadrin dypalësh, duke nënvizuar se Shqipëria nuk është aspak për ndryshimin me forcë të kufijve”.

7.
SHTATOR 1992, konferencë për Shtyp, në OKB, New York
“Deri vitin e kaluar Kosova ishte një nga tetë etnitetet e RSFJ. Tani që u prish federata, i takon popullit shqiptar që të vendosë për të ardhmen e tij në rrugë paqësore”.

8.
SHTATOR 1992, konferencë për Shtyp, në OKB, New York
“Greqia ka mbajtur vetëm shqiptarët ortodoksë. Më 1946 ajo dëboi nga trojet e tyre dhe i konfiskoi pasuritë shqiptarëve myslimanë (çamë), me pretekstin se ishin bashkëpunëtorë me gjermanët. Aktualisht ata kërkojnë të kthehen në trojet e pronat e tyre. Qeveria greke ka rënë dakord që të rishikohen vetëm pronat”.

9.
SHTATOR 1992, konferencë për Shtyp, në OKB, New York
“Ne jemi sot në fazën e rrezikut të konfliktit dhe jemi për zgjidhje paqësore. Lufta mund t’i imponohet Kosovës ose Shqipërisë. Ne nuk e dëshirojmë luftën”.

10.
SHTATOR 1992, konferencë për Shtyp, në OKB, New York
“Aktualisht në Shqipëri komunistët janë konvertuar në socialistë, ndërsa një grup ekstremistësh krijoi Partinë Komuniste, programi i së cilës nuk përputhej aspak me programet demokratike. Po ashtu, gjatë zgjedhjeve elektorale, kjo parti fitoi vetëm 8000 vota nga 2 milionë votues. Nisur nga programi i kësaj partie dhe veprimtaria e saj, parlamenti vendosi që t’a nxjerrë jashtë ligjit. Ndërkohë këtë veprim nuk e kundërshtuan as socialistët”.

11.
DHJETOR 1992, fjala në kongresin e FRPD
“Do të vijojmë punimet në rrugën Veri-Jug, zgjerimin e rrugës Elbasan-Përrenjas, i asaj Tiranë-Durrës, i rrugëve sekondare dhe të jeni të sigurt që do t’i ndërtojnë punëtorët me rrogë dhe jo aksionet famëkeqe me sistemin e angarisë mesjetare”.

12.
MARS 1993, gjatë inaugurimit të muzeut të Holokaustit në Washintgon, SHBA
“Në vitin 1993 kemi martesën e parë të një shqiptari me një vajzë hebreje që hapi rrugën e lidhjeve të tjera martesore. Mikpritja dhe strehimi i tyre sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore pati jehonë në SHBA dhe Evropë. Një banor Beratit që ndihmoi një familje hebreje në 1993 tha: Të strehoje një hebre gjatë pushtimit gjerman ishte njëlloj sikur të mbushje shtëpinë me dinamit dhe të prisje të ndodhte shpërthimi nga çasti në çast”.

13.
DHJETOR 1993, fjala në Kuvendin e Shqipërisë
“Ka kaluar 1 vit nga gushti i vitit 1992 kur qeveria nisi programin e saj të reformës dhe rezultatet edhe optimisti më i madh nga ne zor se do t’i përfytyronte këto arritje. Rënia e prodhimit është ndalur, në 1993 prodhimi bujqësor do të rritet 15 për qind”.

14.
QERSHOR 1994, Fjalë në Forumin e Crans Montanës
“Shqipëria nga ana e vet e quan të domosdoshme ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe po aq të domosdoshme ndalimin e luftës, dënimin e agresorëve  dhe moshapjen e saj në Jug drejt Kosovës dhe Maqedonisë që do të thotë Luftë Ballkanike e më tepër”.

15.
NËNTOR 1994, intervistë në “RD”
“Rezultati negativ në referendum duhet kërkuar te vetë fushata dhe te projekti i Kushtetutës që nuk mori parasysh interesat e shtresave të veçanta të popullit shqiptar, tek qeverisja e vendit, në defektet në privatizim, në korrupsion, nepotizëm”.

16.
MARS 1995, në konferencën e jashtëzakonshme të PD
“Nëse ju doni rolin e liderit dhe nëse gjykoni se Sali Berisha po keqdrejton e duhet të largohet nuk ka pse nxitoheni. Prisni kuvendin përpara fushatës paraelektorale, dilni me platformë të re, me program të ri dhe po ju zgjodhën për lider për të zëvendësuar Sali Berishën, hallall e keni”.

17.
NËNTOR 1995, fjala në Kuvend
“Sigurimi i Shtetit dhe ata që vuajtën prej tij kishin një fat që për ne është mësim për të gjithë nëse duam të mbijetojmë si komb që të ligjve dhe ligësisë nuk duhet t’i shërbesh kurrë”.

18.
NËNTOR 1995, fjala në Kuvend
“Është vështirë sot të gjesh njerëz nga persekutorët që të pranojnë në publik gabimet apo të shprehin pendesën. Përkundrazi, shumë prej tyre këtë vënie përpara përgjegjësisë, këtë revokim të turpit të tyre e quajnë genocid, çka e bën të vështirë të shqiptosh fjalët e librave të shenjtë ‘Fali o Zot se nuk kuptojnë se ç’kanë bërë’”.

19.
DHJETOR 1995, fjala në Kuvend
“Nuk ndryshon lehtë fara shqiptare. Kanë mbetur të tillë pas qindra vjetësh arbëreshët, arvanitasit në dhe të huaj dhe në vende më të qytetëruara. Shqiptarët dhe pasardhësit e tyre si kundër ne është si të gjithë popujt, i janë nënshtruar lëvizjeve, dyndjeve e deri për të shkuar në vend të huaj”.

20.
DHJETOR 1995, fjala në Kuvend
“Asnjëherë shqiptari nuk e ka konsideruar të huaj të ardhurin. Madje në mjaft raste ku nuk ka ardhur si pushtues apo nuk e ka dhunuar edhe kur i takonte tjetër gjaku. Prandaj është antishqiptare dhe antihunmane çdo dallim apo përbuzje për të ardhurit të cilëve gjithnjë ju kërkohet respektimi i rregullave dhe zakoneve të vendit ligjeve të pranuara nga ne të gjithë”.

21.
JANAR 1996, për gazetarin Artur Zheji në Romë
“Nuk besoj se ekzistojnë projekte të Shqipërisë së Madhe. Si vend i vogël që është, Shqipëria asnjëherë nuk ka synuar të përvetësojë tokat e të tjerëve. Por nuk mungojnë ata që mendojnë se gjithë shqiptarët kanë të drejtë të jetojnë në të njëjtin shtet ashtu si një shekull më parë”.

22.
JANAR 1996, për gazetarin Artur Zheji në Romë
“Që në lashtësi shqiptarët nuk janë ndarë. Ishim një provincë romake e më pas bizantine e më pas akoma turke pa pasur problem kufijtë e brendshëm. Shumica e shqiptarëve e shikon të realizueshëm një shtet shqiptar të të gjithë shqiptarëve gjithnjë në gjirin e Evropës së madhe pa kufij të brendshëm”.

23.
TETOR 1996, Moskë fjalë e mbajtur në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Ekonomik të Detit të Zi, Moskë, Rusi.
“E përsërisim edhe një herë vizionin tonë të përbashkët për perspektivën e rajonit si një rajon paqeje, stabiliteti, e begative të vazhdueshme dhe është dëshira dhe detyra jonë të mos i kursejmë forcat dhe t’i japim një arritje të mëtejshme një objektivi të tillë”.

24.
TETOR 1996, Moskë fjalë e mbajtur në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Ekonomik të Detit të Zi, Moskë, Rusi
Pas fjalës së mbajtur në rusisht nga kryeministri shqiptar Meksi, kryeministri rus Viktor Chernomyrdin i bëri një ofertë që Shqipëria të blinte me çmim të lirë disa avionë luftarakë Mig 31 dhe Mig 33. Përgjigja e Mesit ishte, ‘Ok, zoti Chernomerdin, i blejmë ne shqiptarët, por më parë na gjeni armiqtë se cilët janë’”.

25.
JANAR 1997, për radion “Zëri i Amerikës”
“Në qoftë se me zëvendësimin e njerëzve zgjidheshin mirë punët sigurisht që nuk ka gjë të keqe, por këta zëra vazhdojnë me metodën e kaluar se besoj nuk e kanë synimin te Meksi sepse Meksi është një nga anëtarët e kryesisë së PD-së, është kryeministër i një qeverie ku janë njerëzit e PD që zbaton programin e PD”.

26.
JANAR 1997, për radion “Zëri i Amerikës”
Emri im në PD për t’u larguar si kryeministër në këtë rast përdoret më lehtësisht për t’u kritikuar se emrat e tjerë, por në fakt qëllimi është për të synuar PD-në dhe programin e saj”.

27.
JANAR 1997, fjala në Parlament
“Në këto fondacione iu siguruan depozituesve 300 milionë dollarë. Janë ngritur komisione dhe nënkomisione që kanë tashmë të qartë se kemi të bëjmë me forma me strukturë piramidale që do të thotë të futësh 1 dhe të marrësh 2 apo 3 dhe synimi i tyre ishte që në fund të janarit të shpërndahej kjo shumë që është 1 e treta e 700-800 milionë dollarëve”.

28.
MAJ 1997, për gazetarin Blendi Fevziu, gazeta “Indipendent”
“Unë jam i gatshëm të shkoj kudo edhe në Vlorë. Nuk jam nga ata që tremben. Nëse demokracia vjen duke vrarë Meksin gabohen”.

29.
MAJ 1997, për gazetarin Rezear Xhaxhiu, “Gazeta Shqiptare”
“Kam qenë unë i pari që kam thirrur në zyrë Gazideden, Lunikun dhe Vrionin për të hetuar fenomenin e firmave në fund të vitit 1995 dhe në fillim të 96. Por u bënë zgjedhjet e u ndërrua qeveria dhe vazhdonim t’a ndiqnim me vëmendje këtë dukuri dhe ideja jonë ishte që ato do mbylleshin. Por në momentin që thamë, ishte me zarar, u futën 300 milionë plus dhe kur filluan të vepronin të gjithë u ngritën kundra.”

30.
QERSHOR 1997 për Sokol Ballën revista “Klan”
“Nano do kthejë paratë e fajdeve? Nëse do t’i marrë nga xhepi i tij ose i PS, ose dikush do t’ia falte Shqipërisë kjo nuk ka gjë të keqe. Nëse do ti marrë nga xhepi i shqiptarëve  të tjerë kjo do të përbënte një precedent fatkeq për shqiptarët. Askush nuk do të jepte më ndihmë për Shqipërinë”.

31.
KORRIK 1997, për gazetën italiane “La Stampa”
“Gabuam në qeverisje sepse nuk kuptuam sa rrënjë të thella kishte ushtria  në vendin më të prapambetur stalinist të Evropës ndërkohë që filluam reformën ekonomike”.

32.
KORRIK 1997, për gazetën italiane “La Stampa”
“Gabuam gjatë qeverisjes sonë se arritëm të ndërtojmë gjykata të ndershme, sepse sipas meje ato ishin të pavarura. Më tej mungesa e dobësisë së policisë dhe të ushtrisë si dhe vështirësitë ekonomike sollën shumë pasoja”.

33.
KORRIK 1997, për gazetën italiane “La Stampa”
“A u favorizua kaosi nga jashtë?”Sigurisht që pati dhe ndërhyrje nga jashtë. Nuk ishin kaq të zotë banorët e Vlorës që nuk kaluan dot Urën e Mifolit të rrëzonin qeverinë po të mos kishin dikë prapa shpine”.

34.
KORRIK 1997, për gazetarin Ylli Rakipi gazeta “Albania”
“Nano premtoi rikthimin 100 për qind të parave në të kundërt do të quhet se mori votat me përdhunë morale dhe nuk është mirë të bësh premtime me çeqe të bardhë. Ne si qeveri kemi thënë vetëm ato që mund të realizonim dhe ne i kemi realizuar”.

35.
TETOR 1998, për gazetarin Blendi Fevziu,  “E diela debat”
“Qeveria që drejtoja kishte 3 arritje dhe defekte: Për arritjet: e para futja e Shqipërisë në rrugën e demokracisë, e dyta futja e Shqipërisë në ekonominë e tregut dhe e treta hapja ndaj botës. Për defektet: e para vështirësia në organizimin e sistemit bankar, së dyti vështirësia e koordinimit bazë-qendër, së treti vështirësia e krijimit të një mentaliteti demokratik”.

36.
TETOR 1998, për gazetarin Blendi Fevziu, “E diela debat”
 “Unë kam qenë i mendimit që zgjedhjet e 26 majit duhet të përsëriteshin në 40 zona dhe kam hartuar edhe listën se cilat duhet të ishin këto 40 zona”.

37.
TETOR 1998, për gazetarin Blendi Fevziu,  “E diela debat”
 “Nuk u rrëzua qeveria Meksi nga fajdetë. Ato kanë qenë një element. Një sebep siç quhet në gjuhën e Shopenhauerit, i cili thotë se i ligu do sebep”.

38.
TETOR 1998, për gazetarin Blendi Fevziu, “E diela debat”
 “Nëse ndokush kërkon luftë civile, është detyrë e qeverisë t’i kundërvihet për ta ndaluar luftën civile”.

39.
TETOR 1998, për gazetarin Blendi Fevziu,  “E diela debat”
“Shqiptarët merren të gjithë me politikë dhe të gjithë me rolin së paku të kryeministrit, kështu edhe unë në vitin 1990 si të gjithë shqiptarët po merresha me politikë”.

40.
TETOR 1998, për gazetarin Blendi Fevziu,  “E diela debat”
“E kishim zakon që takoheshim për disa vjet rresht me Gramoz Pashkon në bodrumin e tij. Pinim raki, cigare, etj.  Shanim qeverinë, zakon që Gramozi derisa hyri në qeveri e vazhdoi”.

41.
TETOR 1998, për gazetarin Blendi Fevziu,  “E diela debat”
“Nuk ka shqiptar që nuk thotë në jetë të isha kryeministër. Por unë nuk kam aspiruar detyra të këtij lloji, ata që më caktuan që drejtonin PD në atë kohë të gjithë bashkërisht menduan se për një sërë rrethanash mund të isha unë personi që mund të drejtonte periudhën më të vështirë të Shqipërisë”.

42.
TETOR 1998, për gazetarin Blendi Fevziu,  “E diela debat”
“Sali Berisha në punët e përditshme nuk mund të themi se ndërhynte por në punët e qeverisë sigurisht që përzihej në problemet e përgjithshme. Diskutohej me të, kishte probleme të caktuara që diskutohej një herë apo dy herë në ditë, bashkërisht, me të tjerë, me ekspertë apo pa ekspertë. Sigurisht që ka pasur edhe përplasje, ka pasur edhe këmbëngulje nga njëra palë apo tjetra. Unë isha nga ata që thosha se nuk ishte e drejtë.”

43.
TETOR 1998, për gazetarin Blendi Fevziu,  “E diela debat”
“Persona, deputetë apo ministra u ankuan te unë se ndiqeshin nga agjentë të Shërbimit Informativ Kombëtar. Në mënyrë që të mos isha unë personi që çonte gjithnjë te Berisha ankimet e të tjerëve”.

44.
TETOR 1998, për gazetarin Blendi Fevziu,  “E diela debat”
“Lidhur me arrestimin e Fatos Nanos, akuza e parë i është bërë nga ata që qenë në qeverinë e tij apo bashkëpunëtorë të tij në 1991-1998.  Ky qe një proces për të cilin vendimin e dha prokuroria dhe gjykata dhe nuk mund ta japin instancat politike. Se sa në Shqipëri instancat politike ndikojnë në vendimet e gjykatave të tjera, ky është një problem më vete.

45.
TETOR 1998, për gazetarin Blendi Fevziu,  “E diela debat”
“Në procesin hetimor dhe gjykues të Fatos Nanos ka pasur anë jo të rregullta. Që ndërsa drejtuesit e shtetit të sotëm votuan për heqjen e imunitetet të Nanos, unë kam ndenjur me duart poshtë”.

46.
GUSHT 2011, Për studiuesen Milena Harito
“Sa mund të lexosh dosjet e Sigurimit të Shtetit, aq mund të lexosh të vërtetën e historisë së fajdeve. Askush nuk e do këtë punë, njëra palë s’do ta thotë, tjera palë e shfrytëzon. Njerëz që kanë punuar në fajde vazhdojnë të jenë në politikë dhe nuk u quhet krim”.

47.
GUSHT 1997. Për gazetarin Sami Neza, gazeta “RD”
“Kam munguar në mbledhjen e kryesisë dhe të këshillit kombëtar të PD se kur të ikin spiunët e huaj dhe spiunët e Sigurimit të Shtetit, atëherë do të vij. Kam thënë mjaft qartë: Kur të ikin ferrat dhe plehrat”.

48.
GUSHT 1997, për gazetarin Jakin Marena, gazeta “Dita Informacion”
“PD do të vijë në pushtet në rast se do të ndërpresë vëllavrasjen brenda saj, do të largojë personat që janë përgjegjës për dështimin e fushatës, për impostimin e saj, për fytyrat që ishin në fushatë, dhe do të vendosë meritokracinë. Fraksionet duhet të ekzistojnë dhe të përfaqësohen në përputhje me njerëzit që i mbështesin në forumet e zgjedhura”.

49.
GUSHT 1997, për gazetaren Anila Basha, gazeta “Intervista”
“Unë edhe gjatë kohës që kam qenë kryeministër gjatë 5 vjetëve dhe tani, nuk kam bërë më tepër se 2 ditë pushime. Por ndoshta më vonë, por tani për tani, nuk mund të bëj pushim. Nuk e di në këtë moshë se ç’do të thotë pushim”.

50.
JANAR 2015, për gazetarin Roland Qafoku
“Detyra e kryeministrit ishte një punë e jashtëzakonshme, me përgjegjësi sepse përditë duhet të merrje vendime, të përmirësoje ligjet dhe të drejtoje ekzekutivin në një kohë ku për shumë çështje mund të mos ishte dakord”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY