Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi të bërë publik u shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve të historianit të njohur dhe Akademikut Prof. Dr. Kristo Frashëri, i cili ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare:
“Të nderuar familjarë të Akademikut Frashëri!
Lajmi i ndarjes nga jeta i Profesor Kristo Frashërit më ka prekur jashtëzakonisht thellë dhe kjo është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për shkencën dhe historinë shqiptare. Në këto çaste të dhimbshme, më lejoni t’ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta personale dhe institucionale për humbjen e jetës së njeriut tuaj të shtrenjtë!
Emri i nderuar i Kristo Frashërit u rendit me dinjitet përkrah emrave të shquar të historianëve shqiptarë duke shndritur me shkëlqimin e vet të veçantë shkencor, filolog dhe vetitë e tij të rralla njerëzore.
Jeta, vepra dhe puna shkencore e tij në trajtimin e temave nga historia, zhvillimi ekonomik, problemet shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare ku spikasin punimet shkencore të botuara mbi “Lidhjen e Prizrenit 1878-1881”; “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra”; “Historia e Tiranës”; “Identiteti kombëtar i shqiptarëve”; “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912”; “Historia e qytetërimit shqiptar” janë dhe do të mbeten dokumente të vyera për të gjithë brezat e ardhshëm të kombit shqiptar.
Duke ndarë me ju, njerëzit e tij të afërt, dhimbjen time më të thellë, jam i bindur se kujtimi dhe vepra e tij e paarritshme në fushën e historisë dhe vlerave të patjetërsueshme kombëtare do të mbeten një pasuri e çmuar dhe e përjetshme për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.
Shpirti i tij u prehtë në paqe dhe i lehtë i qoftë dheu amtar!
Me nderim të pakufishëm,
Bujar Nishani”.





