Basha: Arsimi i rilindjes së Edi Ramës, pa vizion, pa program, prandaj...

Basha: Arsimi i rilindjes së Edi Ramës, pa vizion, pa program, prandaj ka mbetur në klasë

68
0
Shares

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar sot mësuesit për 7 Marsin në një takim të zhvilluar me mësues të larguar padrejtësisht nga detyra por dhe me ata në detyrë.
Përveç largimeve nga sistemi arsimor, zoti Basha ka renditur dhe mungesën e investimeve në arsim, përdorimin e ambienteve shkollore për aktivitetin politik të PS-së.
“Ky realitet i tmerrshëm i hidhur është efekt i drejtpërdrejtë i mungesës së vizionit, efekti i drejtpërdrejtë i asaj që mësuesit i thonë ‘të mësosh përmendësh’, ‘të jesh kopjac ngel në klasë’. Nuk kishte vizion. Nuk kishte program. Nuk ka  vizion. Nuk ka program. Prandaj ka mbetur në klasë arsimi i Rilindjes së Edi Ramës”, theksoi Basha.
Basha u ndal dhe në emërimin e personave me rekorde kriminale në arsim si dhe korrupsionin në emërimet.
“Kriminalizimi i jetës publike në Shqipëri nuk është bërë në asnjë fushë më dhimbshëm, më ulëritës se në arsim, ku kjo qeverisje premtoi të çonte në nivele europiane  meritën, kualifikimin. Në fakt po e mbajnë fjalën sepse mësuesit më të kualifikuar, më të mirë të shkojnë refugjat duke i zëvendësuar ata me llumin e shoqërisë.
Me Estref Isufaj të detyruar me një vit burg për falsifikim dokumentesh, ia konvertojnë me punë në komunitet dhe puna në komunitet konvertohet në drejtor të shkollës së mesme Ballaban në Përmet.
Luiza Tabaku, emblemën e Drejtorisë Arsimore të Lushnjes dhe terrori që ajo ushtronte mbi mësueset, imoraliteti që ngriti në themel, ryshfetet prej mijëra eurosh.
Mimoza Kuqi, e cila po ashtu u bë emblemë e ryshfetit këtu në Tiranë dhe e mori atë vetëm sepse ishte pjesë e spotit të Partisë Socialiste në fushatë elektorale.
Me Armelind Çilin të dënuar në vitin 2011 me  12 muaj burg për korrupsion për dhënien e ndihmës ekonomike si shpërblim u emërua drejtor i shkollës së mesme profesionale në Berat.
Me Enertin Dheskale i cili përveç mbiemrit nuk ka asnjë lidhje për punën si mësues në Fier sepse është i dënuar me dy vite burg për korrupsion. Këto janë emblemat e gjëmës së rilindjes në arsim. Ndërkohë që qindra, mijëra mësues të aftë, të përgatitur, të çmuar, të respektuar, të dashur për komunitetin janë larguar në mënyrë arbitrare dhe politike ose janë detyruar të largohen duke i transferuar 30, 50, 60 deri në 80 km nga shtëpia e tyre.
Mësuesit flasin vetë, disa prej tyre të guximshëm folën këtu sot. Entela Kasi e shkruajti, nuk është anëtare e Partisë Demokratike është mësuesja e djalit të kryeministrit. Po nuk ja vuri njeri veshin sepse e vërteta, e vërteta që është thelbi i dijes, e vërteta që është instrumenti më i fuqishëm i mësuesisë është e papranueshme për këtë qeveri, është tmerruese për këtë kryeministër. Ndaj ja pamundësuan edhe Entelës vazhdimin e profesionit të saj të shenjtë si mësuese.
Ka një rrugë për të qenë mësues sot dhe këtë e pamë javën e kaluar. Rruga është të anëtarësohesh në Partinë Socialiste. Partia shtet tani do t’i shtijë kthetrat e saj edhe në arsim.  Ky nuk është standard është fundi i çdo standardi. Kjo nuk është reformë. Kjo është antireformë me pasoja të rënda për vendin, me pasoja të rënda për nxënësit, me pasoja të rënda për fëmijët tanë”,theksoi zoti Basha.
Ditën e 7 Marsit, kryetari i PD Lulzim Basha e shfrytëzoi për të dhënë dhe ofertën e demokratëve për arsimin.
“Unë iu jap fjalën sot mësuesve shqiptarë duke nisur nga ata të përndjekurit, të transferuarit, të persekutuarit e që vazhdojnë në jenë në trysninë antiligjore të kësaj qeverie dhe çdo mësuesi nga Vermoshi në Konispol se arsimi do të jetë përsëri prioritet absolut. Që ndryshimi po vjen, se ju do të jeni jo me fjalë por me vepra, jo me dokrra, por me buxhet në qendër të vëmendjes së qeverisjes së ardhshme. Për arsimin parauniversitar dhe për arsimin universitar le të marrë nga kjo sallë çdo shqiptar këtë mesazh: Ne nuk  heqim dorë nga mbështetja e plotë dhe totale buxhetore për të drejtën e çdo të riu shqiptar për tu shkolluar në arsimin parauniversitar dhe për arsimin universitar ashtu siç e meriton duke shfuqizuar ligjin klientelist për arsimin e lartë e duke iu dhënë të rinjve shqiptar një shans për të studiuar, për tu diplomuar”, theksoi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

 


Përvojat personale të sjella nga vetë mësueset


“Përshëndetje të gjithëve! Gëzuar 7 Marsin! Quhem Iliriana Bajlozi, vij nga Devolli, mësuese prej 35 vitesh. Por në shtatorin e 2015-ës e gjej veten jashtë armatës së arsimtarëve në emër të një palo reforme që ndërmori qeveria që është sot në pushtet. Si unë ka dhe shumë mësues të tjerë që janë flakur në rrugë të madhe. Vërtetë më hodhën në rrugë të madhe por dashurinë e nxënësve të mijë nuk ma morën dot. Vërtetë më hodhën në rrugë të madhe por respektin dhe mirënjohjen e komunitetit ku unë punoja nuk ma mohuan dot. Vërtetë më hodhën në rrugë të madhe por meritat e mia në procesin mësimor dhe edukativ nuk mi mohoni dot sepse edhe ata janë të ndërgjegjshëm vetë se çfarë kanë arritur të bëjnë. Vërtetë më hodhën në rrugë të madhe por titullin “Mësuese mjeshtre” nuk ma marrin dot. Vërtetë me hodhën në rrugë të madhe por tufën me karafila që ma dërguan sot nxënësit e mijë nuk ma ndaluan dot dhe ky ishte gëzimi më i madh në jetën time kur nxënësit e klasës së 9-të me një tufë të madhe me karafila më erdhën dhe më uruan në shtëpi sepse kam qenë, jam dhe do të ngelem mësuese”.


“Gëzuar 7 Marsin! Quhem Jonida Herullai, kam ardhur këtu nga qyteti i Peshkopisë, rrethi Dibër. Jam arsimtare prej 15 vitesh, fillimisht më dërguan me punë 30 km larg vend banimit. Më pas 3 muaj pasi u zgjodha këshilltare dhe e vetmja me arsim të lartë më larguan fare nga puna. Ky është thjesht një dënim politik. Askush nuk ma mohon dot gëzimin e kësaj feste, pasi pavarësisht pse jam larg kolegëve të mijë sot jam pranë jush. Ju uroj gëzuar festën!”


Përshëndetje! Quhem Liljana Xhaferaj. Gëzuar festën e 7 Marsit! Kam punuar mësuese prej 16 vitesh. Zbatova procedurat ligjore mora pjesë në konkurs, fitova dola e para por nuk më hapet asnjë dritë jeshile. Urimin për 7 Marsin e kam marrë nga djali im 8 vjeç i cili shkoi në shkollë dhe më dhuroi një lule. Shumë faleminderit!”

 

Fjala e plotë e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha


lulzim basha, fjalim mesuesTë dashur mësuese, mësues, pedagoge dhe pedagogë,
Të dashur anëtar të Komisionit Parlamentar të Arsimit, të opozitës,
Të nderuar miq!
Dua ta nis sot me një urim nga zemra për të gjithë mësueset dhe mësuesit, për të gjithë pedagogët anembanë Shqipërisë. Jo vetëm ata që janë në detyrë e ata qindra e mijëra që janë larguar padrejtësisht nga detyra por edhe ata që sot nuk e ushtrojnë sot më këtë detyrë por që mbeten në zemrat e miliona shqiptarëve, mësuesit e tyre.
Para se të jemi politikanë, vendimmarrës, opozitarë, qeveritarë apo çfarë do tjetër, sot çdo shqiptar është dhe duhet te jetë edhe një herë nxënësi mirënjohës ndaj një armate të tërë mësuesish dhe mësuesesh të cilët kanë shkrirë jetën e tyre në kushte jashtëzakonisht të vështira për të investuar tek brezat. Tek brezat që sot kanë në dorë Shqipërinë, tek brezat që do të vijnë dhe do të kenë në dorë Shqipërinë europiane dhe moderne siç na e dëshiron shpirti të gjithëve.
Se sa e rëndësishme është detyra e shenjtë e mësuesit nuk ka nevojë të zgjatem sepse fjalët e tepërta janë fukarallëk. Por se si e trajton një qeverisje mësuesin dhe mësuesinë nuk varet nga fjalët, as nga fjalimet e bukura, as nga dokrrat nëpër ekrane me regji qendrore por varet nga aktet. Një qeveri ka shumë në dorë të bëjë për arsimin. Dhe këtë nuk e tregon me parullën, me doktrina, me studime pafund por me një gjë fare të thjeshtë, të dukshme dhe të matshme për qytetarët, me paratë që vendos të investojë në arsim. E në radhë të parë me paratë që vendos të investojë tek pjesa më e rëndësishme e arsimit që janë mësuesit, pedagogët, statusi i tyre, siguria e tyre, kualifikimi i tyre i vazhdueshëm, ngritja e tyre profesionale, krijimi i  të gjitha kushteve  mësuesve shqiptarë  për të mësuar nxënësit. Të gjitha këto kushtojnë para dhe prioriteti i një qeverie për arsimin dhe për mësuesit matet me para.
Para dy vitesh e gjysmë qeveria aktuale premtoi shumë për arsimin. Por sot pas dy vitesh e gjysmë ku jemi? Historitë e Ilirianës, Lilianës dhe Jonidës nuk janë histori individuale. Ato janë historitë e dhjetëra, qindra mësuesve këtu në Tiranë, e mijëra mësuesve anembanë Shqipërisë të cilët janë nën një presion të vazhdueshëm, brutal, nën një persekutim të trefishtë nga qeverisja aktuale. Presioni për t’u transferuar në zonat ku nuk mund të shërbejnë më. Presioni për t’u larguar edhe pse vetë kanë dekada që shërbejnë dhe shërbimi i tyre vlerësohet nga gjenerata të tëra nxënësish. Presioni për të bashkëjetuar me njerëz të dënuar për falsifikim, për korrupsion, për trafiqe.
Në fakt 7 Marsi, kjo ditë historike për shqiptarët, kjo ditë e kurorëzuar me gjakun e sa e sa heronjve të arsimit shqiptar që bënë të mundur hapjen e shkollës së parë shqipe, që bënë të mundur në kushtet më të vështira ngritjen  dhe përhapjen e dritës së diturisë dhe gjuhës tonë amtare, sot gjenden në një kërcënim të vazhdueshëm.
Çfarë kanë bërë për investimet? Asnjë shkollë të re, ndërsa shkollat e rikonstruktuara numërohen me gishtat e dorës por asnjë shkollë të re. Dje isha në Murqin, një fshat me 1500 banorë që ka tre vite që lutet për një shkollë të re. As plane për një shkollë të re. Nuk po kërkojnë luks por shkollë për fëmijët e tyre.  Në kushte të tilla të vështira gjenden sot shumica dërrmuese e fshatrave shqiptare por situata nuk është më e mirë në qytete. Fjalë të mëdha, punë hiç. Të mos flasim pastaj për shkollat ekzistuese të cilat nuk kanë laboratorë, nuk kanë pajisje por e dinë që vazhdojnë në disa raste të funksionojnë me investime të bëra para 10, 15 vitesh. Dhe programi që shpallën me pompozitet si ai i tabletave kanë mbetur si gjithë premtimet e tjera boshe të këtij kryeministri. Mungesa e infrastrukturës e ka bërë këtë projekt të pazbatueshëm. Cili është efekti? Nxënësit shqiptar sot përballen me të gjitha pasojat e një trupe nën terror, nën persekutim dhe për herë të parë  në 25 vite nën një tutelazh politik që i ka shndërruar shkollat, siç e pamë javën e kaluar në qendra votimi për kongreset e partisë në pushtet duke na sjellë reminishenca më të këqija të së kaluarës.
Siguria në shkolla është kërcënuar dhe frekuenca e ngjarjeve kriminale brenda në shkolla dhe jashtë shkollave është rritur frikshëm. Siguria e mësuesve  në ushtrimin e profesionit të tyre është në nivelet më të ulëta. Kriminalizimi i jetës publike në Shqipëri në asnjë fushë nuk është më dhimbshëm, më ulëritës se në arsim, ku kjo qeverisje premtoi të çonte në nivele europiane  meritën, kualifikimin. Në fakt po e mbajnë fjalën sepse mësuesit më të kualifikuar, më të mirë të shkojnë refugjat duke i zëvendësuar ata me llumin e shoqërisë. Me Estref Isufaj të detyruar me një vit burg për falsifikim dokumentesh, ia konvertojnë me punë në komunitet dhe puna në komunitet konvertohet në drejtor të shkollës së mesme Ballaban në Përmet.  Luiza Tabaku, emblemën e Drejtorisë Arsimore të Lushnjes dhe terrori që ajo ushtronte mbi mësueset, imoraliteti që ngriti në themel, ryshfetet prej mijëra eurosh. Mimoza Kuqi, e cila po ashtu u bë emblemë e ryshfetit këtu në Tiranë dhe e mori atë vetëm sepse ishte pjesë e spotit të Partisë Socialiste në fushatë elektorale.
Me Armelind Çilin të dënuar në vitin 2011 me  12 muaj burg për korrupsion për dhënien e ndihmës ekonomike si shpërblim u emërua drejtor i shkollës së mesme profesionale në Berat.
Me Enertin Dheskale i cili përveç mbiemrit nuk ka asnjë lidhje për punën si mësues në Fier sepse është i dënuar me dy vite burg për korrupsion. Këto janë emblemat e gjëmës së rilindjes në arsim. Ndërkohë që qindra, mijëra mësues të aftë, të përgatitur, të çmuar, të respektuar, të dashur për komunitetin janë larguar në mënyrë arbitrare dhe politike ose janë detyruar të largohen duke i transferuar 30, 50, 60 deri në 80 km nga shtëpia e tyre.
Mësuesit flasin vetë, disa prej tyre të guximshëm folën këtu sot. Entela Kasi e shkruajti, nuk është anëtare e Partisë Demokratike është mësuesja e djalit të kryeministrit. Po nuk ja vuri njeri veshin sepse e vërteta, e vërteta që është thelbi i dijes, e vërteta që është instrumenti më i fuqishëm i mësuesisë është e papranueshme për këtë qeveri, është tmerruese për këtë kryeministër. Ndaj ja pamundësuan edhe Entelës vazhdimin e profesionit të saj të shenjtë si mësuese.
Ka një rrugë për të qenë mësues sot dhe këtë e pamë javën e kaluar. Rruga është të anëtarësohesh në Partinë Socialiste. Partia shtet tani do t’i shtijë kthetrat e saj edhe në arsim.  Ky nuk është standard është fundi i çdo standardi. Kjo nuk është reformë. Kjo është antireformë me pasoja të rënda për vendin, me pasoja të rënda për nxënësit, me pasoja të rënda për fëmijët tanë.
Asnjë investim. Asnjë shkollë të re. Tekste shkollore të vjetruara e të dala jashtë standardeve. Sot është një ditë për arsimin në mbarë kombin tonë. Nuk i mban mend këta që sot qeverisin me dy –tre tekste nën krahë në Preshevë, në Medvegjë e Janinë duke premtuar se për këdo që i thotë vetës shqiptarë do të kishte programe të veçanta e ndihmë të veçantë. Mbaroi shfaqja, erdhën në pushtet dhe asgjë nuk është zgjidhur e asgjë nuk është bërë për nxënësit e shqipes jashtë Shqipërisë.
E si mund të bëhet  kur s’e kanë ndërmend të bëjnë asgjë as për nxënësit këtu brenda Shqipërisë.
Ky realitet i tmerrshëm, i hidhur është efekt i drejtpërdrejtë i mungesës së vizionit, efekti i drejtpërdrejtë i asaj që mësuesit i thonë “të mësosh përmendësh”, “të jesh kopjac ngel në klasë”. Nuk kishte vizion. Nuk kishte program. Nuk ka  vizion. Nuk ka program. Prandaj ka mbetur në klasë arsimi i rilindjes së Edi Ramës.
Unë dua t’i them të gjithë mësuesve shqiptarë se është koha për t’u mbajtur me kuraje te vlerat më të mira, tek investimi individual i gjithsecilit prej jush dhe respekti i pakufishëm që ne shqiptarët kemi për ju pavarësisht prej mënyrës se si ju denigron dhe se si ju godet kjo qeveri në çdo aspekt të jetës tuaj. E t’ju them se për ne kjo nuk është një ditë për të vënë kujën por një ditë për të reflektuar dhe për të  marrë përgjegjësitë tona për sot dhe për nesër. Përgjegjësi që nisin nga investimi tek mësuesit të cilët nuk kanë parë një rritje rroge në këto tre vite. Investimi tek mësuesit ka qenë dhe do të jetë prioritet absolut i Partisë Demokratike. Investimi i mësuesit i matshëm me para, me rritje rroge, me kualifikime profesionale dhe me ndjekje deri në fund të performancës, monitorim të performancës në mënyrë që më të mirët pavarësisht prej bindjeve politike e me gjithë bindjen e tyre politike të kenë mundësinë të ushtrojnë profesionin e tyre të shenjtë. Që nuk i shërben një partie por i shërben dhe duhet t’i shërbejë një shoqërie të tërë.
Ndaj dita e sotme ka për mua personalisht dhe për kolegët e mi opozitarë, përveç vlerës që ka për çdo shqiptarë që ka kaluar në bankat e shkollës edhe vlerën e një kushtrimi. Dhe unë iu jap fjalën sot mësuesve shqiptarë duke nisur nga ata të përndjekurit, të transferuarit, të persekutuarit e që vazhdojnë në jenë në trysninë antiligjore të kësaj qeverie dhe çdo mësuesi nga Vermoshi në Konispol se arsimi do të jetë përsëri prioritet absolut. Që ndryshimi po vjen, se ju do të jeni jo me fjalë por me vepra, jo me dokrra, por me buxhet në qendër të vëmendjes së qeverisjes së ardhshme.
Për arsimin parauniversitar dhe për arsimin universitar le të marrë nga kjo sallë çdo shqiptar këtë mesazh: Ne nuk  heqim dorë nga mbështetja e plotë dhe totale buxhetore për të drejtën e çdo të riu shqiptar për tu shkolluar në arsimin parauniversitar dhe për arsimin universitar ashtu siç e meriton duke shfuqizuar ligjin klientelist për arsimin e lartë e duke iu dhënë të rinjve shqiptar një shans për të studiuar, për tu diplomuar.
Kjo nuk është një lëvizje e izoluar në vizionin tonë. Ky është kyçi i progresit të Shqipërisë. Ky është kyçi i rritjes ekonomike, i hapjes së vendeve të reja të punës dhe vendeve të reja të punës që paguhen më mirë. Ky është kyçi për ta nxjerrë të riun shqiptar dhe të punësuarin shqiptar nga hamalli tek punonjësi i mendjes dhe nuk ka rrugë tjetër për të ç’hamallizuar shqiptarët përveçse për të investuar në dijen e tyre, në kualifikimin e tyre.
Çdo lek, çdo euro dhe dollarë që do të hidhet në arsimin e lartë shqiptar dhe në arsimin shqiptar në tërësi është pjesë e përkushtimit tonë e përkushtimit tim për t’i dhënë shqiptarëve një rritje të re ekonomike bazuar mbi potencialet më të mira të shqiptarëve, jo duke shtrirë dorën por duke ofruar trurin. Për të cilin dekada, shekuj dhe mijëvjeçarë kanë treguar që është një pasuri e çmuar e kombit tonë.
Ndaj dhe investimi tek arsimi, investimi tek mësuesit, investimi tek shkolla, investimi tek aksesi i barabartë universitar për çdo fëmijë nga Peshkopia në Sarandë, nga Erseka në Tropojë apo Malësi të Madhe është pjesë e pandarë e paketës tonë për t’i dhënë shqiptarëve një të nesërme të sigurt, një ekonomi të fortë, punë dhe dinjitet për këdo.
Ndaj edhe një herë dua t’i uroj të gjithë mësuesit për kurajën me të cilën ballafaqohen sot në këto ditë të vështira e t’ju them që asgjë nuk është e përhershme. Ndryshimi po vjen, ndryshimi do të vijë e bashkë me të edhe mirënjohja jonë e pakufi për punën tuaj, për sakrificën tuaj!
Nderim për mësuesit shqiptar!
Faleminderit!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY