Banorët e shpronësuar të bulevardit ët ri të Tiranës, vazhdojnë protestën. Ata janë grumbulluar në krye të rrugës, dhe i kanë bërë rezistencë policisë. Ndërkohë, sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, tre gra janë ndjerë keq dhe kanë humbur ndjenjat.
Banorët që preken nga ndërtimi i bulevardit të ri të Tiranës, në zonën e Stacionit të Trenit, kanë bllokuar rrugën, për të mos lejuar shembjen e banesave të tyre. Ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur fadromat, për shembjen e 10 banesave të para.
Banorët kanë deklaruar se nuk kanë qëllim të përplasen me policinë dhe u kanë bërë thirrje forcave të rendit të mos i provokojnë.
Përfaqësuesi i banorëve, Pirro Demiraj tha se qytetarët kërkojnë hakun e tyre, por institucionet i kanë veshët të shurdhët.
“Jemi duke zbatuar mosbindjen civile. Çfarë na solli deri këtu, ishte një mosdëgjim nga instancat e shtetit shqiptar. Ju lutemi ambasadave edhe njëherë shpejtoni pak, mësojini këta njerëz të zgjidhin hallet e popullit. Po strehoni mhxhahedinë, njerëz në nevojë, ne na lini në shtëpitë tona. Kjo është një punë e dobët e bashkisë. Të na japin hakun tonë që na takon. I kemi dhënë zgjidhje, bërjen e pallatit, por i kanë veshët të shurdhët”, deklaroi Demiraj.
Sipas banorëve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nuk e ka pranuar kërkesën e tyre për ndërtimin e një pallati për këta banorë buzë bulevardit të ri që do ndërtohet. Ndaj sipas banorëve, e vetmja zgjidhje për ta është mosbindja civile.
Ndërkohë, bashkia e Tiranës u ka lënë pesë ditë afat 10 familjeve të tjera që u kanë shkuar letrat për të liruar banesat pasi do iu shemben shtëpitë për t’i hapur rrugën projektit për ndërtimin e bulevardit verior të Tiranës dhe rehabilitimit të Lumit Tirana.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/