Basha: Ka filluar numërimi mbrapsht për këtë regjim, dita e madhe e...

Basha: Ka filluar numërimi mbrapsht për këtë regjim, dita e madhe e pranverës së demokracisë po afron

78
0
Shares

Kreu i PD-së Lulzim Basha, ka përfunduar takimin në drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës me drejtues të policisë e prokurorisë.
Në përfundim të këtij takimi, Basha ju drejtua qytetarëve të shumtë që ishin mbledhur para drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës. Sipas Bashës, ky regjim i ka ditët e numëruara dhe se dita e madhe e pranverës së demokracisë po afron.
“Zonja dhe zotërinj,
Vëllezër dhe motra,
Qytetarë të Tiranës,
Demokrate dhe demokratë,
Sot u provua se regjimi i Edi Ramës është një regjim antikushtetues dhe antiligjor. Është një regjim i krimit dhe i dhunës. Sot u provua se Partia Demokratike dhe opozita shqiptare, qytetarët shqiptarë janë në anën e ligjit, janë në anën e së drejtës, janë në anën e Kushtetutës, dhe sot shteti ligjor, shteti i së drejtës jemi ne, krimi dhe regjimi oligarkik është përballë nesh.
Me një përpjekje për t’iu kundërvënë një të drejte elementare, të drejtës së protestës, një përpjekje për t’i shërbyer antiligjit, duke përdorur dhunën e zhveshur dhe shtazarake, kundër grave dhe vajzave, të rinjve, të rejave dhe të moshuarave, sot regjimi i Edi Ramës mobilizoi efektivë të policisë në kundërshtim me ligjin, të armatosur deri në dhëmbë, pa shenjat e tyre të identifikimit, për të ushtruar dhunë mbi protestuesit, një pjesë e të cilëve ka përfunduar në spitalet e Tiranës.
Këta mendojnë se me anë të dhunës, me anë të frikës do të mund të instalojnë regjimin oligarkik në Shqipëri dhe të zhbëjnë ëndrrën demokratike 25 vjeçare të shqiptarëve. Këta mendojnë se me anë të dhunës dhe përndjekjes policore mund të vazhdojnë të mbushin xhepat e tyre me milionat që iu marrin shqiptarëve që rraskapiten nga mëngjesi deri në darkë, me vende pune që paguhen keq, apo që kërkojnë prej muajsh e vitesh vende pune e nuk gjejnë, për të ushqyer fëmijët e tyre. Këta kujtojnë se do të detyrojnë shqiptarët të marrin rrugën e emigracionit, rrugën e eksodit nga dëshpërimi e në këtë mënyrë ta kthejnë Shqipërinë në kopshtin e sundimit të oligarkëve.
Në jemi sot këtu për ti thënë që kjo nuk ka për të ndodhur, që oligarkia nuk ka për të triumfuar, se ne do të qëndrojmë, luftojmë dhe rezistojmë për shtetin ligjor, për demokracinë dhe ne së bashku me të gjithë qytetarët shqiptarë do të fitojmë. Ky regjim bandit i ka orët e numëruara. Ky regjim që tregoi sot fytyrën e tij të vërtetë, para Europës, para Amerikës dhe para qytetarëve shqiptarë, duhet ta dijë se po sot ka filluar numërimi mbrapsht për të.
Ne nuk ndalemi, ne nuk sprapsemi, ne do të qëndrojmë fort gjithmonë e më shumë të bashkuar në qëllimin tonë në mbrojtje të lirisë, në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve shqiptarë, në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të ligjit. Edhe sot këtu në këtë drejtori të Policisë të Tiranës në ishim ligji, ne ishim Kushtetuta dhe përballë kishim fytyrën antiligjore të regjimit të Edi Ramës, të njeriut që drekon e darkon me shullazët të cilët bëjnë ligjit në komisariatet dhe drejtoritë e policisë ndërkohë që qytetarët që ushtrojnë të drejtën e tyre legjitime për protestë grabiten në mes të ditës nga maskat dhe burgosen në mënyrë të paligjshme.
Ju informoj se sapo kam takuar dhe biseduar me miqtë dhe vëllezërit tanë duke filluar dhe përfshirë kryetarin e Degës nr 5 Çim Babasin. Kam kërkuar nga autoritetet e prokurorisë shqiptare të rivendosin ligjin, të vendosin para përgjegjësisë ligjore xhelatët, njerëzit që përlyen uniformën e shtetit, të cilët përlyen uniformën e ligjit duke vepruar si banditë në mes të ditës në Tiranë dhe po kështu të japin drejtësinë e merituar për të gjithë ata që dhunuar protestuesit e pafajshëm në ditën e sotme dhe ju garantoj se do të vazhdojmë të luftojmë deri në përmbushjen e këtij kushti të drejtë. Kush mendon se me dhunë, frikë, me terror do ta ndalë një popull që të luftojë për vlerat e vërteta, për vlerat e lirisë dhe demokracisë, e ka gabim. Shqiptarët e kanë provuar njëherë e do ta provojnë përsëri. Dita e madhe e pranverës së demokracisë po afron. Nuk e ndalon dot Edi Rama. Nuk e ndalon dot krimi. Nuk e ndalon dot oligarkia.
Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen që jepni sot, për faktin që nuk shkurajoheni nga kjo dhunë shtazarake por provojmë se jemi ne alternative, jemi ne Europa, jemi ne e drejta, jemi ne ligji, jemi ne Kushtetuta, jemi ne ata që shqiptarët iu besojnë e do tu besojnë së shpejti me votë të lirë për ta shporrur këtë regjim.
Rroftë Demokracia. Rroftë Liria. Rroftë Populli Shqiptar”, u shpreh Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte pasdite në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku kërkoi informacione nga drejtuesit e policisë, lidhur me gjendjen e personave të shoqëruar, pas protestës kundër parkut të lojërave tek liqeni.
Mësohet se Lulzim Basha ka zhvilluar një takim edhe me prokurorin e gatshëm Shpëtim Kurti, i cili ndodhej në drejtorinë e policisë për mbikëqyrjen e hetimeve.
Ndërkohë, kreu i PD-së ka kërkuar një mbledhje urgjente me kryesinë dhe grupin parlamentar, në orën 19:00 në selinë e Partisë Demokratike.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY