Kamerat e sigurisë zbardhin lëvizjet e vrasësit të ish-policit në “Bllok”

Kamerat e sigurisë zbardhin lëvizjet e vrasësit të ish-policit në “Bllok”

55
0
Shares

Policia e Tiranës ka mundur që të ndërtojë itinerarin e autorit të vrasjes së Ajet Zeqajt, ish-policit të ekzekutuar në rrugën “Nikolla Tupe” në ish-Bllok më 16 mars të këtij viti, raporton “Panorama”.
Ai është qëlluar për vdekje me dy plumba të një pistolete me silenciator, nga një person rreth 1.80 i gjatë, i veshur me të zeza dhe që mbante doreza e kapuç në kokë.
Ky ka qenë përshkrimi që ka dhënë për autorin miku i 41-vjeçarit, i cili ishte dëshmitar okular, pasi po e shoqëronte drejt shtëpisë së motrës, pasi dolën nga lokali i basteve sportive.

“Studimi” i zonës
Përshkrimi i dhënë është konfirmuar edhe nga pamjet e disa prej kamerave të sigurisë që janë verifikuar.
Policia sekuestroi 10 kamera të bizneseve private pranë vendngjarjes, një pjesë e të cilave kanë regjistruar momentin e vrasjes.
Megjithatë autori është treguar i kujdesshëm, pasi fytyra nuk i duket në asnjë sekuencë.
Me shumë mundësi, si vrasës profesionist, siç e cilëson Policia, ai mund ta ketë studiuar zonën prej disa ditësh.
Ndoshta ka nisur që para 20 ditësh, kur është mësuar se Ajet Zeqaj ishte kthyer nga Franca. Nga lëvizjet që ka kryer, mënyra e se si ka realizuar vrasjen e më pas fshehja e armës, pa lenë asnjë gjurmë, tregon se ai kishte përgatitur gjithçka.

“Arratisja” pas krimit
Autori ka hyrë në tunelin e pallatit nga rruga kryesore dhe ka pritur gati 5 minuta në anën tjetër të tij, aty ku ishte hyrja e pallatit, ku banon motra e Ajet Zeqajt.
Ai ka qëndruar aty, mesa duket i vetëdijshëm, apo i informuar se 41-vjeçari do të dilte nga lokali i basteve në atë kohë dhe do të kalonte pikërisht në vendin ku po e priste.
Në këtë moment, kur e ka parë që ka kaluar tunelin dhe është shfaqur shumë pranë tij, autori e ka qëlluar nga afër pas koke me dy plumba.
Ka hedhur pistoletën pas një vazoje të madhe betoni dhe është kthyer mbrapsht, duke përshkuar sërish tunelin, andej nga kishte hyrë, që të nxjerr në rrugën “Sami Frashëri”, për të kaluar më pas në një rrugicë pas shkollës “11 Janari”, për të dalë në rrugën “Andon Zako Çajupi”, duke iu drejtuar bulevardit “Bajram Curri”, në Unazë.
Aty autori humbet gjurmët, ndërsa dyshohet se mund të jetë rifutur në zonën e ish-Bllokut, duke bërë t’i shmangej edhe kontrolleve të mundshme të policisë. Ky itinerar është siguruar nga kamerat e sigurisë së disa bizneseve në këto rrugë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY