Përfundon mbledhja e përbashkët e deputetëve dhe kryesisë, PD vendos: Përshkallëzim protestash

Përfundon mbledhja e përbashkët e deputetëve dhe kryesisë, PD vendos: Përshkallëzim protestash

69
0
Shares

Mbledhja e jashtëzakonshme e Kryesisë dhe e Grupit Parlamentar në mbrëmjen e së hënës pas përleshjeve në Parkun e Liqenit Artificial, ka përfunduar me një qëndrim më të ashpër nga opozita ndaj qeverisë.
Në përfundim të takimit, që ka zgjatur thuajse dy orë ata që dolën para medias ishin Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Arben Ristani dhe kreu i Grupit Parlamentar, Edi Paloka.
“Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar dhe Kryesisë së Partisë Demokratike u mor vendim që ne do të përshkallëzojmë aksionin politik, por edhe aksionin qytetar sepse do të krijojmë një aleancë të gjerë për Tiranën, ku do ti bëjmë thirrje të gjithë opinionit publik në Tiranë dhe shkallë kombëtare që të bashkohen me kauzën tonë, kauzën e antikrimit, kauzën e antilirisë, kauzën antikushtetueshmërisë që po ndodh dhe ne duhet të ngrihemi të gjithë të bashkuar kundër kësaj ‘anti’ të madhe që ka krijuar ky pushtet për të realizuar atë që shqiptarët presin nga opozita në mënyrë që të krijojmë një jetë më të mirë dhe më të denjë në këtë vend. Të gjitha format demokratike janë ato që do të shfrytëzohen. Të gjithë duhet të jemi të bindur që betonizimi i Liqenit është një nga treguesit e paligjshmërisë së këtij pushteti duke nisur që nga shkelja e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese e deri te kriminalizimi i administratës shtetërore. Çështja nuk është vetëm për betonizimin e parkut të liqenit, kjo është një nga arsyet. Të gjithë e shohin se përballë kemi një mur të shurdhër që çdo gjë e ngre mbi arrogancën dhe interesat e oligarkisë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.
Dhe kur flasin për të gjitha ‘format demokratike’, opozitarët nuk nënkuptojnë vetëm ato si qytetarë, por edhe si deputetë brenda Parlamentit
“Ne do të kemi aksion të përshkallëzuar, jo vetëm qytetar”, deklaroi Paloka.
I pyetur nëse deputeti Strazimiri kishte armë në brez gjatë protestës, Ristani u përgjigj.
“Strazimiri nuk ka pasur pistoletë me vete, fotoja s’tregon asgjë. S’ka prova për Strazimirin, s’ishte armë, por këllëfi i celularit. Nëse do kishte kushte flagrance, Strazimiri do ishte arrestuar”.

 

 

Bashkëbisedimi me gazetarët


Ristani: Opozita dhe Partia Demokratike do të rrisin aksionin politik dhe jo vetëm por edhe aksionin qytetar sepse do të krijojmë një aksion të gjerë për Tiranën ku do ti bëjmë thirrje të gjithë opinionit publik në Tiranë dhe shkallë kombëtare që të bashkohen me kauzën tonë, me kauzën e antikrimit, me kauzën e lirisë dhe betejës me antikushtetuetshmërisë që po ndodh dhe ne duhet të ngrihemi të gjithë të bashkuar kundër kësaj anti të madhe që ka krijuar ky pushtet, për të realizuar atë që shqiptarët presin nga opozita në mënyrë që krijojmë një jetë më të mirë dhe më të denjë në këtë vend. Ju e shihni që çështja nuk është vetëm për betonizimin e Parkut të Liqenit. Kjo është një nga arsyet. Do të ketë protesta të vazhdueshme dhe siç e thashë do të krijohet një aleancë e gjerë me qytetarin, një aleancë e gjerë për Tiranën për tu përshkallëzuar në të gjithë Shqipërinë.


Pyetje: Kjo aleancë a mund të shkojë deri në mosbindje civile?
Ristani:
Të gjitha format demokratike, janë ato që do të shfrytëzohen. Çështja është që të gjithë duhet të jemi të bindur që betonizimi i Parkut të Liqenit është një nga treguesit e paligjshmërisë së këtij pushteti, është një nga treguesit e antidemokracisë ashtu sikundër është shkelja e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç janë kriminalizimi i jetës politike dhe i administratës shtetërore. Pra janë të gjitha së bashku që duhet të na bindin që të jemi të gjithë të bashkuar për t’ia dalë mbanë.


Pyetje: A do të kushtëzojë vendimi i sotëm qëndrimin e opozitës për reformën në drejtësi?
Ristani:
Ne kemi treguar në mënyrë të vazhdueshme që kemi qenë konstruktiv, kemi qenë në mënyrë të vazhdueshme bashkëpunëtorë për të realizuar ato gjëra që janë të mira për këtë vend. Por të gjithë e shohin që përballë kemi një mur të shurdhët që çdo gjë e ngre mbi arrogancën, që çdo gjë e ngre mbi interesat e oligarkisë duke e zhvatur këtë popull për xhepat e tyre.


Pyetje: A ka një datë se kur do të nisin protestat?
Ristani:
Aksioni do të jetë në vazhdim dhe permanent. Do të jetë një aksion me aktivitet të vazhdueshme dhe i përditshëm deri në realizimin e qëllimit.


Pyetje: A do të shkoni në parlament apo do të vijoni me qëndrimin e kushtëzuar?
Paloka:
Mbledhja ishte sot e përbashkët e Grupit Parlamentar dhe kryesisë së PD dhe vendimet që u morën janë ato që u tha z. Ristani. Ne do të kemi një aksion të përshkallëzuar jo vetëm qytetar sepse siç e kemi theksuar edhe në protestën e sotme ne jemi aty jo vetëm si opozitarë kundër antikushtetueshmërisë në vendimet e kësaj qeverie por edhe si qytetarë të këtij vendi. Pra do të kemi një kombinim të një aksioni qytetar dhe opozitar për t’iu kundërvënë kësaj qeverie që me arrogance, çdo ditë shkel ligjin dhe Kushtetutën dhe kërkon ti tregojë jo vetëm opozitës por edhe qytetarëve të këtij vendi se janë ata oligarkia e sotme që nuk do të dijë më as për ligj, as për Kushtetutë, por do të vijojnë të dhunojnë deri në ekstrem qytetarët e këtij vendi për të pasuruar këtë klikë oligarkësh, për të bërë që ky vend pak e nga pak të shkojë drejt tiranisë. Dhe ne këtë s’mund ta lejojmë.


Pyetje: Në Parlament mund të ketë zhvillime pasi mund të kërkohet arrestimi në flagrancë i deputetit Gent Strazimiri për armëmbajtje pa leje. A keni një qëndrim për këtë çështje?
Ristani:
Më lejoni t’u jap unë një përgjigje. Besoj se i keni termat gabim. Kërkimi në parlament për arrestimin në flagrancë janë dy terma që nuk shkojnë me njëri tjetrin. Arrestimi në flagrancë, në rast se do të kishte kushte flagrance, duhet të ishte bërë. Në rast se s’ka kushte flagrance nuk mund të bëhet. Por të jeni të bindur që deputeti Strazimiri nuk ka pasur pistoletë. Unë ua thashë edhe në prononcimin më përpara. Është një mashtrim mediatik ndaj deputetit Strazimiri për të njollosur aksionin e opozitës. Fotoja nuk tregon asgjë. Për mua ka qenë këllëfi i celularit. Megjithatë të mos merremi me këto. Deputeti Strazimiri nuk ka pasur pistoletë me vete.


Pyetje: Pra ju thoni që s’mund të ketë pasoja penale për deputetin Strazimiri?
Ristani:
Në mënyrë absolute jo. Nuk bëhet fjalë për imunitetin por për prova. Dhe pasi të sigurohen prova mund të ketë ndjekje penale. Pa prova s’mund të ketë ndjekje penale dhe prova s’mund të ketë, sepse nuk ka pasur pistoletë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY