Bëhen publike deklaratat e pasurisë së ministrave të kabinetit Rama
Ajo që bie në sy në deklaratat e sivjetme të ministrave janë pagat e mira që kanë bashkëshortet e tyre, në disa raste 5 herë më të larta se pagat e ministrave. Ministrat deklarojnë dhe shtëpi të trashëguara nga prindërit e tyre, shtëpi të privatizuara në vitin 1993. Në deklaratat e tyre vihen re shitje dhe blerje automjetesh, kryesisht nga bashkëshortet, ndërsa ka dhe lëvizje të llogarive bankare.
Një gjë e tillë, “një fat’ kaq i madh i ministrave të cilët “kanë rënë” në gra më të zonjat e më të pasurat se ata vetë, tashmë nuk çudit… Sepse edhe kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta, më herët kanë deklaruar se “i mbajnë gratë më bukë”…
Thuajse të gjithë ministrat kanë hapur llogari për fëmijët e tyre, ndërsa kanë hapur dhe llogari afatgjatë pensioni për veten e tyre. Llogaritë bankare të anëtarëve të kabinetit qeveritar kanë dhe karta krediti në emër të tyre.
“Panorama” shkruan se ajo që bie në sy është pasuria e ministres së Inovacionit në Francë, e cila disponon një apartament prej 210 m² me vlerë 905 mijë euro. Por dhe një studio, të cilat ajo i jep sot me qira. Bashkëshorti i saj ka të ardhura vjetore prej 116 mijë eurosh, ndërsa ministrja 1.6 milionë lekë të rinj.
Më i varfër deklarohet ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, që deklaron si të ardhur pagën e tij si deputet e më pas si ministër, ndërsa shlyen për 25 vjet kredinë për banesën ku jeton.
Deklaratat janë bërë publike dje nga portali “Open Spending Albania”.
Deklaratat që janë depozituar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive do të jenë të aksesueshme për publikun në fund të këtij muaji, ndërsa deklaratat e këtij viti nuk kanë të dhëna bombastike.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/