DËSHMIA E PLOTË/ Jani Zaka: Emiljano Shullazin e takova dy herë, ja...

DËSHMIA E PLOTË/ Jani Zaka: Emiljano Shullazin e takova dy herë, ja çfarë më tha dhe çfarë më kërkoi

111
0
Shares

Garazhi i shpërthyer i Jani Zakas (Arjan Zikës)

Jani Zaka 40-vjeçari i njohur ndryshe edhe me emrin Arjan Zika, është një ndër biznesmenët që sipas prokurorisë së Krimeve të Rënda është kanosur me jetë nga Emiljano Shullazi, pasi ka dashur t’i përvetësojë pronën tek zona e NSHRAK-ut në Tiranë.
“Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë deklarimin e tij dhënë më 3 shkurt 2016 para policisë, ku ai tregon kontaktin e parë me Shullazin si dhe komunikimet me të. Gjatë gjithë deklarimit të dhënë në polici, para oficerit të Policisë Gjyqësore, Arben Dyrmishi, Jani Zaka pohon se ka kontaktuar me një person tjetër që ka ndërmjetësuar në takimin me Emiljano Shullazin.
Gjatë kontaktit të drejtpërdrejtë me të, Emiljano Shullazi i ka kërkuar që të zgjidhë menjëherë problemin që ka me Fadil Sinanin, personin që i ka shitur pronën garazh me sipërfaqe 1.200 m2.
Menjëherë pas deponimit, shtetasi Arjan Zika është nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në muajin mars në garazhin e tij u vu tritol.

Dëshmia e potë e Jani Zakas (ArjanZika)
“Jam banor i Tiranës dhe kam adresën dhe gjeneralitetet e sipërpërmendura. Para disa vitesh, unë te Lesharaku (NSHRAK-u, shën. red.) kam blerë nga shtetasi Fatmir Sinani një parking nëntokësor me sipërfaqe 1.200 m2 për një vlerë 300.000 euro. Parkingun unë e kam blerë me kontratë porosie, pasi pallati është i pa hipotekuar. Fatmiri, pasi më bëri shitjen, më ka thënë se parkingu kushtonte më shumë seç ia kisha blerë unë dhe unë i kam thënë se, në qoftë se më kthente lekët, unë në çdo moment do t’ia ktheja pronën këtij shtetasi. Para dy ose tre muajsh, dhe ka qenë ditë e hënë, më ka marrë në telefon një person dhe më thotë që ‘të kërkon Emiljano Shullazi’. Unë i kam thënë që ‘ndodhem jashtë Tirane dhe me t’u kthyer do të të njoftoj vetë’. Ditën e enjte, por si datë nuk më kujtohet, jam kthyer në Tiranë dhe kam marrë në telefon personin që më mori, dhe ai më thotë ‘jam te lagjja ku rrimë, afër shtëpisë së Emiljanos. Unë kam vajtur dhe jam ulur në një lokal të bardhë dhe personi më ka thënë që ‘më prit ta njoftoj’. Pasi prita pak, personi më thotë që ‘nuk vjen sot, por mbaje telefonin hapur nëse do të të telefonojë ai vetë’. Ditën tjetër më telefonon rreth orës 13:00 ky person, por si datë nuk më kujtohet, dhe më thotë ‘po të presim te lokali mbrapa Xhakes’. Unë kam vajtur te lokali dhe atje ishte Emiljano, i cili më priste në lokal. Emiljano më thotë ‘çfarë garazhi i ke mbajtur peng Fatmirit?’ Unë i kam thënë që, ‘nuk i kam mbajtur peng garazh, por më ka shitur garazh’, dhe ai më thotë ‘zgjidheni me Fatmirin këtë problem’. Për këtë gjë kam vënë në dijeni dhe kushëririn Mitri Prifti. Dua të theksoj se, edhe në datën 01.02.2016, rreth orës 13:00, unë jam takuar me Emiljanon te i njëjti lokal, pasi më njoftoi një kushëriri i tij, dhe ai më tha ‘zgjidheni problemin me Fatmirin sa më shpejt’”.

Pyetje: A keni gjë tjetër për të shtuar?


Përgjigje: Nuk kam gjë tjetër për të shtuar. Procesverbalin, pasi e lexova, e gjej të rregullt dhe e firmos pa vërejtje”

Prokuroria: Emiljano Shullazi i kanosi me jetë Jani Zakën dhe Mitri Priftin

Në kërkesën për vleftësimin e masës së ndalimit në gjykatë, dy prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi kanë mbrojtur idenë që Emiljano Shullazi dhe njerëzit e tij kanë kanosur me jetë Jani Zakën dhe Mitri Priftin.
“GSH” po zbardh të plotë, pjesën nga dosja e prokurorisë ku përshkruhet kjo ngjarje.

Dosja e Prokurorisë

“Rezulton se shtetasit Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, në muajin janar, shkurt e në vijim kanë kanosur dhe ushtruar dhunë psikologjike ndaj shtetasit Jani Zaka dhe Mitri Prifti, me qëllim marrjen dhe përfitimin në mënyrë të padrejtë të pronës së fituar prej tij nga blerja dhe konkretisht të një sipërfaqeje nëntokësore prej 1200 m2 të shfrytëzuar për parking automjetesh, në pallatin e ndodhur në vendin e quajtur rruga “Sali Butku” ish-Neshraku.
Autorët e veprave penale, duke vepruar në kuadër të grupit të strukturuar, i kanë thirrur në takime shtetasit Jani dhe Mitri dhe kanë ushtruar dhunë psikike ndaj tyre për dorëzimin e pronës së mësipërme, kundrejt kanosjes për jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre, ku për këtë arsye, pas disa ditëve, shtetasi Jani, nga kanosja e ushtruar, është larguar jashtë vendit dhe nuk dihet vendndodhja e tij. Në lidhje me këtë fakt, rezulton se më datë 13.03.2016, rreth orës 00:05, në vendin e quajtur rruga “Sali Butka” në zonën e ish-parkut të autobusëve (Neshraku), është vendosur dhe ka shpërthyer lëndë plasëse me eksploziv, në portën e qepenit të parkingut nëntokësor në pallatin 12-katësh, i njohur me emrin “Pallati i Sinanajve”, parking i cili është në posedim të shtetasit Arjan Zaka, si formë kanosjeje dhe kërcënimi për marrjen e pasurisë.
Nga veprimet e para hetimore ka të dhëna dhe dyshime se ngjarja e ndodhur është kryer nga i njëjti grup personash, pasi në mënyrë të vazhdueshme shtetasit Emiljano Shullazi, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi dhe persona të tjerë, kanë kërkuar takime me të dëmtuarit, me qëllim plotësimin e dokumentacionit për kalimin e pasurisë në emër të tyre”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY