Tre përfaqësues të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, Belind Këlliçi dhe Ivi Kaso, paraqitën në takimin e përbashkët BE-Shqipëri në Parlamentin Europian kritika të forta ndaj qeverisë shqiptare, duke ngritur shqetësime për funksionimin e Kuvendit, procesin zgjedhor, drejtësinë dhe gjendjen e demokracisë në vend.
Gazment Bardhi deklaroi se Kuvendi i Shqipërisë është zhveshur nga funksionet e tij kushtetuese dhe është kthyer në një institucion që, sipas tij, miraton vendimet e qeverisë pa ushtruar kontroll.
“Parlamenti po largohet çdo ditë e më shumë nga funksioni i tij kushtetues si institucion kontrolli dhe mbikëqyrjeje, për t’u reduktuar në një noter të vendimeve të qeverisë,” tha Bardhi.
Ai kritikoi refuzimin e shumicës për të zhvilluar debat mbi rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke theksuar se opozitës i mohohet e drejta për të ushtruar kontroll parlamentar.
“Mbrojtja politike e korrupsionit të zyrtarëve të lartë nuk e ndihmon integrimin, por e vështirëson atë,” u shpreh Bardhi, duke iu referuar edhe vendimit të Kuvendit për të mos i hequr imunitetin zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në fjalën e tij, Belind Këlliçi e vendosi theksin te protestat qytetare që po zhvillohen në Tiranë, të cilat i cilësoi si një reagim spontan ndaj korrupsionit dhe keqqeverisjes.
“Shqiptarët janë në shesh. Nuk i ka nxjerrë as Moska dhe as Irani, por korrupsioni i qeverisë,” deklaroi ai.
Sipas Këlliçit, protesta nuk i përket më partive politike, por qytetarëve që kërkojnë ndryshim. Ai prezantoi edhe librin “The Albanian Files”, për të cilin tha se dokumenton mënyrën sesi, sipas opozitës, janë zhvilluar projekte strategjike përmes ndryshimeve ligjore dhe përdorimit të pronës publike.
“Kur një popull përqafon të njëjtën të vërtetë, asnjë propagandë qeveritare dhe asnjë teori komploti nuk mund ta tjetërsojë më atë të vërtetë,” tha ai.
Nga ana tjetër, Ivi Kaso u ndal te procesi zgjedhor dhe reforma në drejtësi, duke argumentuar se Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe institucione të pavarura.
“Përndjekja e liderëve të opozitës dëmton demokracinë. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme,” deklaroi Kaso.
Ai iu referua raporteve të ODIHR-it, Parlamentit Europian dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, duke pretenduar se zgjedhjet parlamentare janë zhvilluar në kushte të pabarabarta.
“Pa zgjedhje të lira nuk ka shtet të së drejtës. Pa drejtësi të pavarur nuk ka demokraci. Dhe pa demokraci nuk mund të ketë një të ardhme europiane,” përfundoi Kaso.
Tre përfaqësuesit e opozitës i bënë thirrje institucioneve europiane që progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit të lidhet me zbatimin e standardeve demokratike, forcimin e shtetit të së drejtës dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.





