Agjencia ndërkombëtare Bloomberg raporton se NATO po shqyrton mundësinë që të mos organizojë samitin e saj vjetor vitin e ardhshëm, një zhvillim që mund të ndikojë edhe në planin për mbajtjen e samitit në Shqipëri.
Sipas raportimit, një nga arsyet kryesore lidhet me përpjekjet për të shmangur përplasjet me presidentin amerikan Donald Trump, i cili ka kritikuar vazhdimisht aleancën dhe vendet anëtare për nivelin e shpenzimeve ushtarake.
Burime të njohura me diskutimet kanë bërë të ditur se gjatë takimeve të kësaj jave në Ankara është intensifikuar debati për heqjen dorë nga praktika e organizimit të samitit çdo vit.
Sipas Bloomberg, ekziston mundësia që samiti i planifikuar për t’u zhvilluar në Shqipëri të shtyhet, për të shmangur një tjetër skenë ku Trump mund të kritikojë publikisht aleatët. Burimet folën në kushte anonimiteti për shkak të natyrës konfidenciale të diskutimeve.
Raporti thekson gjithashtu se Shqipëria ka qenë ndër vendet e NATO-s me nivelin më të ulët të shpenzimeve për mbrojtjen, duke mos e përmbushur deri së fundmi objektivin prej të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mbështet vazhdimin e organizimit të samiteve vjetore, me synimin për ta mbajtur aleancën në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Sipas Bloomberg, ai është përpjekur gjithashtu të theksojë rritjen e shpenzimeve ushtarake nga vendet anëtare për të zbutur kritikat e Trump.
Megjithatë, sipas një burimi të cituar nga agjencia, deklarata përfundimtare e samitit të Ankarasë, që pritet të miratohet nga liderët e aleancës, nuk përmban asnjë referencë për samitin e ardhshëm, duke shtuar pasiguritë mbi zhvillimin e tij në Shqipëri. a.b





