Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 15 persona, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, grup të strukturuar kriminal dhe vepra të tjera penale.
Sipas SPAK, të pandehurit akuzohen se kanë organizuar dhe financuar trafikimin e sasive të mëdha të drogës nga vendet e Amerikës Latine, si Brazili, Ekuadori dhe Kolumbia, si edhe nga Spanja e Maroku drejt vendeve të Bashkimit Evropian, përfshirë Italinë, Belgjikën, Spanjën dhe Holandën.
Në qendër të hetimit ndodhen Artur Hoxhosmani, Genti Nderjaku, i njohur me nofkat “Kili” dhe “Ekil”, Nazmi Shahini, Devid Patrut, Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej, të cilët sipas organit të akuzës kanë pasur rolin e drejtuesve dhe financuesve të grupit kriminal. Ndërsa Klevis Hoxhosmani, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar Shkëmbi, Amer Lloshi, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Bashkim Haxhija dhe Endrit Sinani akuzohen si pjesëmarrës në organizatë.
Nga hetimet ka rezultuar se grupi kriminal ka trafikuar gjithsej 8,126 kilogramë lëndë narkotike, konkretisht 7,261 kilogramë kokainë, 590 kilogramë hashash dhe 275 kilogramë kanabis.
SPAK bën me dije se aktiviteti kriminal është dokumentuar edhe përmes komunikimeve të zhvilluara në platformën e enkriptuar Sky ECC, të siguruara nga autoritetet franceze në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Përveç akuzave për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, Artur Hoxhosmani akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Prokuroria njofton se ka kërkuar gjithashtu pushimin e hetimeve për tre persona. Për Devid Patrut, në një prej episodeve të hetuara, është zbatuar parimi “ne bis in idem”, pasi ai ishte dënuar më parë nga autoritetet belge për të njëjtën ngjarje. Ndërsa për Ilir Lloshin dhe Julian Pjetrin është arritur në përfundimin se fakti penal nuk ekzistonte ose nuk u provua.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë të Francës, Spanjës, Belgjikës, Britanisë së Madhe, Holandës, Brazilit, Italisë dhe Ekuadorit, si edhe me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit.
SPAK njofton se hetimet vijojnë në një procedim të ndarë, me synim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të grupit kriminal dhe hetimin e pasurive të dyshuara që burojnë nga aktiviteti i paligjshëm.




