Pas marshimit nga sheshi “Skënderbej”, protestuesit u mbledhën përpara godinës së Kryeministrisë në kuadër të protestës së 32-të radhazi kundër qeverisë.
Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, hetimin e tij dhe të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si edhe largimin e asaj që e cilësojnë si klasën e vjetër politike, të cilën e konsiderojnë përgjegjëse për situatën në vend.
Gjatë fjalës së mbajtur nga podiumi i ngritur përpara Kryeministrisë, një prej protestuesve deklaroi se lëvizja qytetare vijon të zgjerohet, pavarësisht pritshmërive se protestat do të shuheshin pas pak ditësh.
Ai theksoi se protesta ka hyrë në muajin e dytë dhe se organizatorët mbeten të vendosur në pesë kërkesat e tyre kryesore, duke e cilësuar si të panegociueshme dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit dhe të qeverisë.
Protestuesi iu referua gjithashtu dorëzimit të dokumentit “The Albanian Files” në SPAK gjatë paradites, duke pretenduar se ai përmban të dhëna që, sipas organizatorëve, duhet të hetohen nga Prokuroria e Posaçme. Sipas tij, në dokument përfshihen projekte për të cilat pretendohet se kanë përfituar garanci paraprake për ndryshime ligjore.
Në fjalën e tij, ai kërkoi gjithashtu që SPAK të përshpejtojë procedurat për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke argumentuar se kjo do t’i hapte rrugë hetimeve ndaj saj.m.k





