Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur të pafajshme kryebashkiaken e Roskovecit, Majlinda Bufi, e cila akuzohej nga SPAK për veprën penale të përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike.
Vendimi u dha nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila arsyetoi se nuk provohet që e pandehura ta ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohej.
Bufi u hetua dhe u gjykua në gjendje të lirë gjatë gjithë procesit.
Më herët, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte kërkuar deklarimin e saj fajtore dhe dënimin me 1 vit e 6 muaj burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi do të zbriste në 1 vit burg, ndërsa SPAK kishte kërkuar pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vendosjen e saj në shërbim prove për një periudhë dyvjeçare.
Me vendimin e shpallur këtë të martë, GJKKO rrëzoi kërkesën e SPAK-ut dhe deklaroi të pafajshme kryebashkiaken e Roskovecit.





