Ilir Selmanaj është paraqitur këtë të mërkurë në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nën masa të shtuara sigurie.
Paraqitja e tij vjen vetëm një ditë pasi Policia e Tiranës arrestoi Emiliano Ninën, i cili dyshohet se po përgatiste vrasjen e Selmanajt. Autoritetet nuk kanë bërë ende publike detaje të plota mbi hetimin, ndërsa çështja po ndiqet nga organet ligjzbatuese.
Selmanaj ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi është i pandehur në procesin penal për vrasjen e ish-efektivit të policisë, Santiago Malko. Ai është dënuar në shkallë të parë me 26 vite burg për këtë çështje, ndërsa vendimi është ankimuar dhe po shqyrtohet në Apelin e GJKKO-së.
Për shkak të informacionit të siguruar nga autoritetet për një kërcënim të mundshëm ndaj jetës së tij, paraqitja e Selmanajt në gjykatë është zhvilluar nën masa të forta sigurie.





