Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Doorbell”, duke zbardhur një grabitje të ndodhur mesnatën e 23 qershorit në një banesë në rrugën “Gjon Buzuku”.
Si rezultat i operacionit, janë arrestuar dy të rinj, të dyshuar si bashkautorë të ngjarjes, ndërsa një person i tretë është shpallur në kërkim.
Në pranga kanë rënë shtetasit E.S., 20 vjeç dhe K.K., 19 vjeç, të cilët u lokalizuan dhe u kapën në zonën e Alliasit. Ndërkohë, policia po vijon punën për kapjen e bashkëpunëtorit të tyre të dyshuar, shtetasit Xh.T., 21 vjeç.
Sipas hetimeve paraprake, tre të rinjtë dyshohet se kanë hyrë në banesën e dy shtetasve në rrugën “Gjon Buzuku” dhe, nën kërcënimin e mjeteve prerëse, kanë marrë një shumë të konsiderueshme parash në euro dhe katër telefona celularë.
Gjatë operacionit, uniformat blu sekuestruan 900 euro dhe katër telefona celularë, të cilët dyshohet se janë sendet e vjedhura gjatë grabitjes.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë jo vetëm për kapjen e 21-vjeçarit të shpallur në kërkim, por edhe për të verifikuar nëse të dyshuarit janë të përfshirë në ngjarje të tjera kriminale në fushën e vjedhjeve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.





