Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së mërkurës fshatin Agonas të Kavajës, ku një konflikt mes dy vëllezërve ka përfunduar me humbjen e jetës së njërit prej tyre.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30, teksa dy vëllezërit ndodheshin në arë duke mbledhur bazën ushqimore për blegtorinë. Në rrethana që ende po hetohen, shtetasi Muhamet Rreshka, 76 vjeç, dyshohet se ka goditur me thikë vëllain e tij, Eqerem Rreshka, 74 vjeç.
I plagosuri është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë gjatë rrugës.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar, ndaj të cilit po kryhen veprimet procedurale përkatëse.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat që çuan në këtë krim të rëndë brenda familjes.





