Deklaratat e ish-kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila një ditë më parë i kërkoi kryeministrit Edi Rama të nisë një proces vetëpastrimi në Partinë Socialiste, kanë sjellë reagime brenda radhëve të socialistëve.
Kryetarja e Partisë Socialiste në Shkodër, Mirela Dodaj, iu përgjigj publikisht Spiropalit, duke i kërkuar që një proces i tillë të nisë fillimisht nga vetja.
“Nëse vërtet duhet të nisë një proces vetëpastrimi në Partinë Socialiste, atëherë do të ishte e ndershme të fillonte nga ju, Elisa Spiropali. Sepse para se të kërkosh llogari nga të tjerët, duhet të japësh llogari për veten”, shprehet Dodaj.
Sipas saj, deklaratat e Spiropalit për meritokracinë, demokracinë dhe vetëpastrimin bien ndesh me rolin që ajo ka pasur ndër vite në drejtimin e Partisë Socialiste.
“Elisa Spiropali, kur flet për meritokraci, demokraci dhe vetëpastrim, duket sikur po flet për një parti ku nuk ka qenë kurrë pjesë e vendimmarrjes. Për vite me radhë ka qenë ndër figurat më të privilegjuara të Partisë Socialiste, ndaj është e vështirë të kuptohet se kujt i drejtohet kjo thirrje, të tjerëve apo vetes”, deklaron Dodaj.
Kryetarja e socialistëve të Shkodrës shpreh gjithashtu mbështetjen e saj për kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë, duke vlerësuar reformat e ndërmarra ndër vite.
Ajo thekson se askush nuk mund të paraqitet sot si gjykatës i të tjerëve, kur ka qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse dhe e zhvillimeve që tashmë kritikohen.
Reagimi i Dodajt vjen pasi Spiropali kërkoi nga kryeministri Rama të largojë nga Partia Socialiste individët që ajo i cilësoi si “smerçi”, “ndryshku” dhe përfaqësues të “pehlivanllëqeve”, duke bërë thirrje për një reformim të brendshëm të forcës qeverisëse.





