Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat kundër projektit të investimit në Zvërnec dhe debatin publik të krijuar rreth tyre, gjatë mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, të zhvilluar në Pallatin e Brigadave.
Në fjalën e tij, Rama e lidhi fenomenin e protestave me ndikimin e rrjeteve sociale dhe algoritmeve, duke argumentuar se protestat e kohës moderne nuk zhvillohen më vetëm në sheshe, por edhe në hapësirën digjitale.
“Sot protestat nuk zhvillohen në shesh, por kanë nevojë për një shesh tjetër që proteston në algoritëm. Sheshi është studioja televizive e algoritmit, vendi ku filmohet për ta ushqyer atë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se shekulli XXI po krijon atë që ai e quajti “proletariati i algoritmit”, një klasë e re njerëzish që, sipas tij, bashkohen jo nga puna apo prodhimi, por nga ndikimi i rrjeteve sociale dhe dëshira për vëmendje.
“Algoritmi nuk njeh përgjegjësi, por njeh vëmendjen. Jetojmë në një kohë kur britma udhëton më shpejt se argumenti, shpifja më larg se realiteti dhe emocioni merr më shumë hapësirë se arsyeja”, deklaroi ai.
Rama rezervoi kritika edhe për një pjesë të personazheve publikë dhe influencuesve që i janë bashkuar protestave. Sipas tij, shumë prej tyre nuk kanë pasur më parë angazhim politik apo qytetar, por janë bërë pjesë e debatit publik për shkak të trendit që krijojnë rrjetet sociale.
“Janë njerëz që nuk e kanë menduar kurrë në jetën e tyre të përzihen me politikën dhe protestat. Janë bërë pjesë sepse është trend dhe kanë frikë të mbeten jashtë valës. Protesta nuk është më protestë, është një treg emocionesh, klikimesh dhe karrierash”, tha kryeministri.
Mbledhja e grupit parlamentar socialist u zhvillua në një moment të ndjeshëm politik, teksa prej javësh në vend vijojnë protestat kundër projektit në Zvërnec dhe ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura. Në rendin e ditës ishin gjithashtu ecuria e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, paketa e ligjeve të integrimit, zhvillimet lidhur me investimin në Zvërnec dhe interesin për ishullin e Sazanit, si dhe reforma administrativo-territoriale.a.b





