Qeveria shqiptare ka garantuar se projekti në Sazan dhe Zvërnec do të zbatojë në detaje të gjitha standardet dhe rregulloret e Bashkimit Europian për mbrojtjen e mjedisit. Këtë e ka deklaruar komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, në një prononcim për gazetarët në Bruksel.
“Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit dhe ky progres është i vlefshëm, i njohur dhe duhet të mbrohet. Në situata të tilla është e rëndësishme të punojmë me faktet. Komisioni Europian ka kontakt të vazhdueshëm me autoritetet, jo vetëm me Kryeministrin Rama. Sa i përket projektit Pishë Poro–Nartë, si të gjithë projektet e tjera, ai duhet të jetë në përputhje me kuadrin ligjor dhe me standardet e përcaktuara në Kapitullin 27 të procesit të anëtarësimit.
Ky kapitull është aktualisht i hapur. Para se të mbyllet, situata duhet të sqarohet plotësisht, ndërsa mbyllja e tij parashikohet deri në fund të vitit 2027. Roli ynë do të jetë të vlerësojmë nëse standardet përkatëse janë përmbushur. Deri atëherë, inkurajoj autoritetet shqiptare të vazhdojnë të marrin hapa për të përmbyllur kapitullin.
Ne kemi marrë garancinë nga Qeveria shqiptare se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis. Fakti që kjo po ndodh ndërkohë që Shqipëria është në procesin e anëtarësimit është i rëndësishëm. Ky proces është juridikisht dhe politikisht detyrues dhe i nënshtrohet një monitorimi dhe vlerësimi të vazhdueshëm. Prandaj, ai përbën garancinë më të fortë që natyra dhe mjedisi i Shqipërisë do të mbrohen në përputhje me standardet europiane.
Ju e dini sa e rëndësishme është për ne e drejta e protestës. Ajo është një e drejtë themelore në Bashkimin Europian dhe më bëhet qejfi të shoh që kjo po respektohet në Shqipëri”, deklaroi Kos.





