Lideri i opozitës, Sali Berisha, është njoftuar për heqjen e sanksionit “non grata” të vendosur ndaj tij dhe familjes së tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pesë vite më parë. Sipas burimeve pranë Partisë Demokratike, vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit i është komunikuar vetë Berishës përmes një bisede telefonike rreth 15-minutëshe nga e ngarkuara me punë e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, shkruajne sot mediat ne Tirane.
Ish-kryeministri u shpall “non grata” në maj të vitit 2021 nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Në deklaratën e asaj kohe, DASH argumentonte se Berisha ishte përfshirë në korrupsion të rëndësishëm dhe se veprimet e tij kishin minuar demokracinë dhe penguar proceset e drejtësisë në Shqipëri. Vendimi përfshinte gjithashtu anëtarët e familjes së tij, duke u ndaluar hyrjen në territorin amerikan.
Katër vite më vonë, në prag të zgjedhjeve të vitit 2025, u raportua se Departamenti i Shtetit kishte rishikuar qëndrimin e tij. Një zëdhënës i institucionit deklaroi në atë kohë se SHBA-ja jep rregullisht përjashtime për individë të caktuar, në përputhje me interesat kombëtare dhe detyrimet ndërkombëtare, duke theksuar se marrëdhëniet me Shqipërinë nuk duhet të ndikohen nga vendime të konsideruara të politizuara.
Deklarata shkaktoi debat të gjerë në skenën politike shqiptare. Kundërshtarët e Partisë Demokratike e konsideruan atë si rezultat të aktivitetit lobues të kompanisë LaCivita, ndërsa mbështetësit e Berishës e interpretuan si një sinjal për zhbërjen e vendimit të vitit 2021.a.b





