Zbardhet pas më shumë se një muaji vrasja e 85-vjeçares në Kurbin, arrestohet vajza e saj.
Policia e Lezhës ka zbardhur një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Fushë-Mamurras të Kurbinit, ku një 85-vjeçare rezulton të jetë vrarë në banesën e saj, ndërsa vdekja ishte raportuar fillimisht si natyrale.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Enigma”, është vënë në pranga vajza e viktimës, shtetasja V. Sh., 57 vjeçe, e dyshuar për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Sipas hetimeve, më 30 prill 2026, 85-vjeçarja D. Sh. humbi jetën në banesën e saj në Fushë-Mamurras. Fillimisht rasti ishte konsideruar si vdekje natyrale dhe nuk ishte raportuar në polici. Megjithatë, informacionet e siguruara në rrugë operative ngritën dyshime për një ngjarje kriminale, duke çuar në ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë në bashkëpunim me Prokurorinë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se e moshuara ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me mjet prerës (thikë). Si autore e dyshuar e krimit është identifikuar vajza e saj, e cila jetonte në të njëjtën banesë me viktimën dhe sipas policisë vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Gjatë operacionit është sekuestruar edhe mjeti prerës i dyshuar i përdorur në krim, si dhe prova të tjera materiale që lidhen me ngjarjen.
Ndërkohë, policia ka referuar materialet procedurale në gjendje të lirë edhe për shtetasen A. Ll., me profesion mjeke, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Sipas hetimeve, ajo ka plotësuar aktin e vdekjes duke e cilësuar rastin si vdekje natyrale dhe nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe verifikimin e mundshëm të përfshirjes së personave të tjerë.




