Kryetari i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita mbështet pa asnjë rezervë të drejtën e qytetarëve për të protestuar, duke iu referuar protestës që prej pesë ditësh po zhvillohet para godinës së qeverisë.
I pyetur për qëndrimin e PD-së ndaj kësaj proteste, Berisha theksoi se ajo nuk është thirrur nga Partia Demokratike dhe nuk ka asnjë organizim apo mbështetje zyrtare nga kjo forcë politike.
“Ne mbështesim plotësisht të drejtën e çdo qytetari për protestë. Është një e drejtë që e respektojmë në mënyrë të palëkundur. Kjo protestë nuk është thirrur nga PD dhe ne nuk kemi asnjë tendencë që të ndërhyjmë apo të krijojmë debate të çfarëdo lloji rreth saj”, u shpreh Berisha.
Ai nënvizoi se qytetarët e lirë kanë të drejtë të protestojnë për çdo çështje që e konsiderojnë të arsyeshme, ndërsa shtoi se Partia Demokratike ka axhendën e saj të protestave, të cilat do t’i organizojë dhe thërrasë vetë kur ta gjykojë të nevojshme.
“PD ka axhendën e saj të protestave dhe kur ajo thërret në protestë, është e hapur për të gjithë qytetarët që duan të angazhohen. Në këtë rast, ne respektojmë plotësisht protestën”, deklaroi kreu i demokratëve.a.b





