Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka reaguar pas lajmit se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të ofrohet terapi hormonale për personat transgjinorë (ndryshimi i seksit).
Përmes një reagimi publik, Spahia kundërshtoi financimin e këtij trajtimi me fonde publike, duke deklaruar se shqiptarët nuk duhet të paguajnë “asnjë qindarkë për qejfet e Edi Ramës”.
Sipas deputetit demokrat, dëshira për të ndryshuar gjini nuk përbën sëmundje fizike dhe, sipas tij, trajtimi në QSUT me para publike do të ishte i pajustifikuar nëse këta persona nuk konsiderohen pacientë me diagnozë mjekësore.
Spahia ngriti gjithashtu shqetësimin për trajtimin hormonal të të miturve, duke dënuar lejimin e këtyre procedurave për adoleshentët. Ai e cilësoi këtë si një vendim të papranueshëm nga ana e qeverisë.
Në reagimin e tij, deputeti i PD-së krahasoi këtë situatë me problematikat që, sipas tij, hasin pacientët me sëmundje të rënda në sistemin shëndetësor, duke përmendur mungesën e mbështetjes për persona që vuajnë nga tumoret apo sëmundje të tjera serioze.
Reagimi i Bardh Spahisë është publikuar në rrjetet sociale, pas debatit të krijuar mbi ofrimin e terapisë hormonale në QSUT.




