Kreu i Sali Berisha ka akuzuar mediat kombëtare në Shqipëri për favorizim të qeverisë dhe censurim të opozitës, duke pretenduar se hapësira televizive në edicionet informative u jepet në mënyrë disproporcionale përfaqësuesve të mazhorancës.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se monitorimet e kryera tregojnë një raport tipik të një diktature autoritare, ku sipas tij qeveria merr deri në dhjetëfishin e kohës televizive në krahasim me opozitën.
Ai deklaroi se parimi “par condicio”, që garanton kohë të barabartë mediatike për palët politike, nuk zbatohet në Shqipëri, të cilën e cilësoi narkodiktaturë.
Berisha përmendi konkretisht disa televizione kombëtare, duke publikuar shifra mbi kohën që, sipas tij, i është dedikuar qeverisë dhe opozitës në edicionet informative të muajit maj.
Për televizionin Top Channel, ai tha se në edicionet informative të datës 13 maj, qeverisë iu dhanë mbi 23 minuta hapësirë televizive, ndërsa opozitës vetëm 3 minuta e 30 sekonda.
Akuza të ngjashme Berisha ngriti edhe ndaj TV Klan, për të cilin tha se i ka kushtuar qeverisë afro 19 minuta dhe opozitës vetëm 3 minuta e 40 sekonda.
Ndërkohë, për Vizion Plus, lideri demokrat u shpreh se ka pasur një raport më të balancuar, edhe pse sipas tij qeveria ka marrë sërish më shumë hapësirë mediatike.
Berisha kritikoi edhe Radio Televizioni Shqiptar Publik duke theksuar se televizioni publik favorizon qeverinë në raport me opozitën.
Sipas kreut të opozitës, mediat kombëtare ushqehen me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe po përdoren në funksion të propagandës qeveritare.r.p





