Drejtori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Himarës, Dorian Hoxha, është arrestuar në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje nga strukturat e Krimit Ekonomik.
Burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se arrestimi është kryer rreth orës 03:00 në zonën e Palasës, ndërsa zyrtari akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Sipas hetimeve paraprake, arrestimi lidhet me një ndërtim në zonën bregdetare të Himarës, ku dyshohet se janë lejuar ose nuk janë parandaluar shkelje të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës nga drejtuesi i IMT-së.
Hetuesit dyshojnë se Dorian Hoxha ka mosvepruar përballë shkeljeve në territor, në kundërshtim me detyrimet ligjore që lidhen me kontrollin dhe mbrojtjen e territorit.
Pas ndalimit, ai është shoqëruar fillimisht në Komisariatin e Himarës dhe më pas është transferuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë për veprime të mëtejshme procedurale.
Policia bëri të ditur se hetimet vijojnë ende, ndërsa po verifikohet nëse në territorin e Bashkisë Himarë janë toleruar apo nuk janë parandaluar ndërtime dhe shkelje të tjera në kundërshtim me ligjin.



