Kreu i PD, Sali Berisha publikoi sot investigimin e ekspertit të njohur ndërkombëtar ku është gjetur se ministrja Diella është një avatar bosh pa asnjë qelizë të urtësisë artificiale. Berisha tha se Rama dhe Begaj kanë kryer krim kushtetues.
“Falë një eksperti më të shquar të fushës ndërkombëtar, Patrick Quirk, i cili i ka kushtuar ditë dhe javë të tëra zbërthimit një për një të Diellës, ai nxjerr se ministrja Diella nuk ka absolutisht as edhe një qelizë të vetme të urtësisë artificiale.
Zero!
Se është një avatar pa asnjë atribut për korrupsionin, pa asnjë ndërfaqe, etj, etj.
Një shkrim i gjatë i një profesionisti të përgjegjshëm, ndërkombëtarisht të njohur në këtë fushë, nxjerr në pah të gjithë shëmtinë e mashtrimit Rama-Begaj, të cilët përdhosën Kushtetutën, përdhosën moralin e shtetit shqiptar, mashtruan shqiptarët dhe botën duke emëruar një ministre, një bot pa asnjë funksion për korrupsionin, pa asnjë atribut, pa asnjë aftësi.
Ky është një krim i shëmtuar kushtetues.
Kjo është një damkosje tjetër e imazhit të Shqipërisë në Evropë dhe botë”, tha Berisha. a.b





