Një person i shpallur në kërkim është arrestuar nga Policia e Shtetit. Në pranga ka rënë Marcel Liçaj, i njohur edhe me emrin Marcel Grembi, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Sipas autoriteteve, ai dyshohet si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal me aktivitet në fushën e trafikimit të narkotikëve në vendet e Bashkimit Europian.
Arrestimi është realizuar nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.
“Në kuadër të operacionit, u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim Marcel Liçaj alias Marcel Grembi, të cilit GJKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, pasi dyshohet si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve, në vendet e BE-së”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.




