Washington Post
Imazhi i dy superfuqive në të njëjtin nivel ishte pikërisht ajo që Xi synonte të arrinte me këtë vizitë, thonë analistët.
Presidenti amerikan Donald Trump ecën me liderin kinez Xi Jinping në Tempullin e Qiellit të enjten në Pekin.
Nga Isaac Arnsdorf, Michael Birnbaum dhe Michelle Ye Hee Lee
Pekin — Presidenti Donald Trump përqafoi një emërtim për samitin e kësaj jave me homologun e tij kinez, Xi Jinping, duke bërë një paralelizëm me samitin e Grupit të Shtatë vendeve me ekonomitë më të mëdha në botë.
“Janë dy vende të mëdha. Unë e quaj G-2. Ky është G-2”, tha ai në një intervistë për Fox News me Sean Hannity, e transmetuar të premten dhe e regjistruar pas takimit dypalësh të së enjtes me Xi. “Mendoj se do të hyjë në histori si një moment shumë i rëndësishëm.”
Edhe pse ishte Trump ai që e tha, imazhi i dy superfuqive në të njëjtin nivel ishte pikërisht ajo që Xi kishte synuar të arrinte me këtë vizitë, thonë analistët. Gjatë dy ditëve të takimeve në Pekin, ceremonialet e kuruara me kujdes dhe gjestet reciproke të miqësisë dhe respektit mes dy njerëzve më të fuqishëm në botë shfaqën një dinamikë gjeopolitike që Kina e ka dëshiruar prej kohësh dhe që amerikanët e kishin kundërshtuar.
“Xi ka arritur diçka drejt së cilës liderët kinezë kanë punuar për dekada — të sjellin një president amerikan në Pekin si një i barabartë i padiskutueshëm”, tha Julian Gewirtz, ish-drejtor për Kinën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë presidencës së Joe Biden. “Xi përdori madhështinë e kësaj vizite për t’i bërë të qartë botës se Kina dhe SHBA janë dy superfuqi dominuese dhe të barabarta. Nuk ka kthim pas.”
Trump të premten hodhi poshtë sugjerimet se SHBA është një perandori në rënie — dukshëm duke reaguar ndaj diçkaje që kishte thënë Xi, ndoshta referenca e tij ndaj “Kurthit të Tukididit”, term i historianit të Harvardit Graham Allison për një fuqi në ngritje që sfidon një fuqi dominuese. Trump tha se binte dakord me Xi për kritikat ndaj paraardhësit të tij, por se tashmë kishte ndryshuar situatën.
“Dy vite më parë ne ishim, në fakt, një komb në rënie. Për këtë pajtohem plotësisht me Presidentin Xi!”, shkroi Trump në rrjetet sociale të premten, para largimit nga Pekini. “Por tani, Shtetet e Bashkuara janë kombi më i fortë kudo në botë dhe shpresoj që marrëdhënia jonë me Kinën të jetë më e fortë dhe më e mirë se kurrë më parë!”
Trump mbërriti në samit pa përcaktuar qartë strategjinë apo objektivat e tij. Ai sinjalizoi se do të diskutonte përplasjen me Iranin mbi trafikun e naftës në Ngushticën e Hormuzit, por mohoi se kishte nevojë për ndihmën e Kinës dhe u largua pa njoftuar angazhime konkrete për këtë apo çështje të tjera.
“Mendojmë shumë ngjashëm që duam t’i japim fund”, tha Trump të premten në një takim të dytë me Xi, duke iu referuar luftës me Iranin. “Është një situatë e çmendur atje, paksa e çmendur.”
Ai solli drejtues të kompanive më të mëdha amerikane me premtimin për marrëveshje të reja tregtare dhe investime, duke i përfshirë në bisedimet me Xi të enjten. Marrëveshja kryesore e shpallur deri tani ishte një dakordësi që Kina të blejë, sipas Trump, 200 avionë Boeing. Deklarata bëri që aksionet e kompanisë të bien, pasi investitorët prisnin më shumë.
Administrata amerikane pret gjithashtu që samiti të prodhojë një marrëveshje që Kina të blejë produkte bujqësore amerikane me vlerë miliarda dollarë çdo vit për tre vitet e ardhshme, tha për Bloomberg TV përfaqësuesi i tregtisë Jamieson Greer.
“Kemi bërë disa marrëveshje fantastike tregtare, realisht për të dy vendet”, tha Trump të premten. Pak pas orës 14:00 me orën lokale, ai ndodhej në Air Force One, gati për t’u larguar.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi për CNBC se të dy vendet do të nisin edhe bisedime për inteligjencën artificiale, një tjetër temë ku samiti nuk prodhoi marrëveshje të menjëhershme.
“Dy superfuqitë e inteligjencës artificiale do të fillojnë të bisedojnë” për hapa të përbashkët mbi modelet e mëdha gjuhësore, tha Bessent, duke theksuar dëshirën “për t’u siguruar që aktorët jo-shtetërorë të mos marrin kontroll mbi këto modele”.
Trump shpesh ka përdorur pasigurinë dhe paparashikueshmërinë për të arritur rezultate në samite të mëparshme. Këtë herë ai iu përmbajt deklaratave të përgatitura gjatë pjesëve publike të takimit dhe banketit të së enjtes. Përveç intervistës miqësore me Hannity, ai nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve që nga largimi nga Uashingtoni dhe Shtëpia e Bardhë publikoi vetëm një përmbledhje prej 158 fjalësh për takimin.
Nga ana tjetër, pala kineze publikoi një raport zyrtar shumë më të gjatë dhe të detajuar, si edhe disa raportime në mediat shtetërore, duke bërë që paralajmërimi i Xi ndaj Trump për Tajvanin të dominojë mbulimin global gjatë pjesës më të madhe të ditës së parë e gjysmë të samitit.
Zyrtarët amerikanë kishin deklaruar para takimit se nuk prisnin ndryshim në politikën amerikane ndaj Tajvanit dhe deri tani nuk ka sinjale për një ndryshim të tillë. Megjithatë, lufta me Iranin ka zhvendosur pajisje ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe ka konsumuar rezervat e municioneve, ndërsa Kina po studion dhe mëson nga sjellja ushtarake e SHBA-së, sipas një vlerësimi të inteligjencës të raportuar nga The Washington Post.
Koncepti G-2 është më i hershëm se Trump dhe u hodh fillimisht në Uashington gjatë presidencës së Barack Obama, ndërsa SHBA e kuptonte gjithnjë e më shumë rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike me Kinën. Megjithatë, ideja nuk fitoi terren dhe Trump e ka rikthyer ndërsa përpiqet të përmirësojë raportet me Pekinin.
Pavarësisht ambicies së Xi për ta paraqitur Kinën si një superfuqi në ngritje, Pekini zyrtarisht shmang mbështetjen e termave si “G-2”, duke preferuar të flasë për “stabilitet” dhe për një botë multipolare, ku SHBA është vetëm një pol e jo një botë e ndarë në sfera influence mes Kinës dhe Amerikës.
Pranimi i hapur i konceptit G-2 mund të jetë i sikletshëm për Kinën, pasi Xi pritet të presë më vonë këtë muaj aleatin e tij, presidentin rus Vladimir Putin.
Megjithatë, studiues të afërt me shtetin kinez kanë pranuar se Kina dhe SHBA janë tashmë një “G-2 de facto”, me Kinën që e sheh veten si të barabartë me SHBA-në në menaxhimin e çështjeve globale.
Zheng Yongnian, politolog me bazë në Shenzhen dhe këshilltar i qeverisë kineze për reforma dhe zhvillim, deklaroi në një fjalim në shkurt se “Kina dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë vetëm dy fuqitë më të rëndësishme në politikën ndërkombëtare dhe shtyllat kryesore të rendit ndërkombëtar, por edhe ndërtuesit vendimtarë të rendit ndërkombëtar të së ardhmes.”
Gjatë deklaratave publike, Xi e paraqiti më drejtpërdrejt Kinën si sfiduese të dominimit amerikan, duke thënë se çështjet ndërkombëtare po kalojnë një “transformim të paparë në një shekull” që “po përshpejtohet në mbarë globin” — një referencë e tërthortë ndaj rënies së ndikimit amerikan dhe rritjes së fuqisë kineze, sipas mediave shtetërore dhe studiuesve pranë shtetit.
Kina prej kohësh ka theksuar mosndërhyrjen si parim bazë të politikës së saj të jashtme dhe liderët e saj preferojnë të fokusohen te ekonomia dhe stabiliteti në marrëdhëniet me SHBA-në, thonë ekspertët.
“Ata nuk ndihen rehat me idenë e G-2 që u sjell përgjegjësi që realisht nuk duan t’i marrin”, tha një ish-zyrtar amerikan i përfshirë në çështjet aziatike, duke folur në kushte anonimiteti.
Paraqitja e SHBA-së dhe Kinës si të barabarta ka tërhequr vëmendjen e aleatëve dhe partnerëve amerikanë në Azi, të cilët po përpiqen të balancojnë marrëdhëniet me të dy vendet. Japoni, aleate e SHBA-së dhe në tension diplomatik me Kinën për Tajvanin, po e ndjek nga afër samitin për të kuptuar si të menaxhojë marrëdhëniet me të dyja fuqitë.
Komentatorët japonezë shkruan të enjten se Tokio duhet të lundrojë me kujdes në politikën e jashtme, për të shmangur izolimin në rajon dhe në marrëdhëniet me SHBA-në. Mediat japoneze raportuan të premten se qeveria po organizonte një telefonatë mes kryeministres Sanae Takaichi dhe Trump pas largimit të tij nga Pekini për të diskutuar takimin me Xi.
Të premten, Xi i tha Trump se kishte vendosur ta priste për çaj në Zhongnanhai, kompleksi i izoluar që shërben si seli dhe rezidencë e liderëve kinezë, si kundërpërgjigje ndaj mikpritjes që Trump i bëri në Mar-a-Lago në vitin 2017. Trump u dëgjua duke thënë në hyrje të sallës së çajit se Xi po i dhuronte trëndafila për Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë.
Ai njoftoi gjithashtu planet që Xi të vizitojë SHBA-në më 24 shtator.
“Do ta bëjmë gjithçka hapur”, tha Trump të premten, “dhe shpresoj që të largoheni shumë i impresionuar, ashtu siç jam unë shumë i impresionuar me Kinën.”




