Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i është drejtuar sërish Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me një kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë, duke kërkuar zëvendësimin e “arrestit me burg” me një masë më të lehtë.
Në kërkesën e depozituar në gjykatë, Beqaj ka ofruar edhe një garanci pasurore prej 20 mijë eurosh, ndërsa argumenton se masa e arrestit duhet të rishikohet në dritën e vendimit të fundit të Gjykata e Lartë mbi masat e sigurisë.
Vendimi i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë përcakton se masa “arrest me burg” duhet të vendoset vetëm pasi të jenë shqyrtuar realisht alternativat e tjera dhe se prokuroria duhet të argumentojë rast pas rasti nevojën për kufizimin ekstrem të lirisë.
Pas këtij vendimi, kërkesë për lirim ka paraqitur edhe Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej më shumë se një viti. Vendimi i Gjykatës së Lartë pasoi gjithashtu ndryshimin e masës për ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila u lirua nga arresti shtëpiak.
Ilir Beqaj ndodhet në burg që prej 4 korrikut 2024, pasi u arrestua në kuadër të hetimeve për abuzimet me fondet e Bashkimit Europian në SASPAC. a.b




