Helmimi i dhjetëra studentëve të Akademia e Sigurisë ka çuar në lëshimin e 4 urdhër-arresteve nga autoritetet në Tiranë, ndërsa deri më tani janë arrestuar tre persona dhe është shpallur në kërkim biznesmenja Alma Tafani, administratore e kompanisë së kateringut “Sori AL”.
Ngjarja ndodhi më 6 maj 2026, kur rreth 50 studentë të Akademisë së Policisë u paraqitën në urgjencën e QSUT, të dyshuar për helmim nga ushqimi i konsumuar në ambientet e akademisë. Menjëherë pas mbërritjes së tyre, ekipet mjekësore kryen ekzaminimet dhe trajtimin e nevojshëm për secilin rast.
Sipas njoftimit zyrtar, Shërbimi Infektiv, Urgjenca Polivalente në QSUT dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore kaluan menjëherë në gjendje gatishmërie, duke shtuar stafin në shërbim dhe duke garantuar rezervat e nevojshme të barnave për përballimin e situatës.
Studentët iu nënshtruan gjithashtu analizave laboratorike për identifikimin e shkakut të helmimit, ndërsa pas marrjes së ndihmës mjekësore, të gjithë janë larguar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.
Në vijim të hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin nr. 1, në drejtimin e Prokuroria e Tiranës, u arrestuan në flagrancë shtetasit K.B., 52 vjeç, me detyrë kuzhinier, dhe K.P., 23 vjeçe, teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për furnizimin me ushqim të Akademisë së Sigurisë.
Ndërkohë, ndaj shtetases R.Ç., 35 vjeçe, po ndiqet procedim penal në gjendje të lirë, në cilësinë e teknologes së ushqimit në të njëjtën kompani.
Policia ka shpallur në kërkim administratoren e kompanisë “Sori AL”, Alma Tafani, ndërsa vijon puna për kapjen e saj dhe dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale të të gjithë personave të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale i janë referuar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.a.b




