Pas aksidentit të rëndë të ndodhur një ditë më parë në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe një tjetër mbeti i plagosur, Policia e Shtetit ka marrë masa të menjëhershme në nivelet drejtuese vendore.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë, ka vendosur pezullimin nga detyra për performancë të dobët të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Afrim Tafa, Zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Zija Sulaj, si dhe Shefit të Sektorit të Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo.
Menjëherë pas ngjarjes, është urdhëruar ngritja e një grupi ekspertësh nga Policia Rrugore, të cilët kanë shkuar në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale pranë Policisë së Shtetit ka nisur një hetim disiplinor për të vlerësuar nëse ka përgjegjësi në radhët e punonjësve të policisë lidhur me këtë rast.




