Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka rikthyer në vëmendje denoncimet e saj të hershme për aferën e stadiumit kombëtar, pas marrjes në pyetje për rreth katër orë në SPAK të Mirela Kumbaros. Zhupa, e cila ka qenë denoncuesja publike që në kohën kur hartoheshin VKM-të dhe projekti për stadiumin e ri, e cilëson çështjen si një aferë korruptive, të paligjshme dhe klienteliste, duke akuzuar për vjedhje të tokës publike, ndryshim destinacioni dhe favorizim të të njëjtëve klientë të pushtetit. Zhupa shprehet se edhe pse kanë kaluar 10 vite, shpreson që drejtësia të vihet në vend për çdo pasuri publike.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Shumë gazetarë dhe qytetarë më kanë pyetur për denoncimet e bëra për stadiumin, pas marrjes në pyetje të Mirela Kumbaros për 4 orë në SPAK.
Vetëm disa fragmente po risjell në vëmendje që tregojnë pse kjo është një aferë korruptive, e paligjshme dhe klienteliste. Vjedhje e tokës publike, klientët e përhershëm të pushtetit që bëhen pronar, VKM për ndryshim destacioni dhe i njëjti grup që pasurohet.
Dhe mos harroni: siç mund ta dëgjoni në deklaratë “Alb Stars” që është te stadiumi, është edhe te Gjiri i Manastirit…
10 vjet më pas, por uroj që drejtësia të vihet në vend një ditë për çdo pasuri publike.





