Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas refuzimit të dokumenteve të kandidimit të tij për kreun e PD-së, duke deklaruar se Partia Demokratike është pasuri e shqiptarëve dhe nuk mund të trajtohet si pronë private.
Përmes një postimi në Facebook, Salianji u shpreh se ky vendim nuk është thjesht procedural, por dëshmia më e qartë se PD po administrohet si pronë personale dhe jo si një aset publik i ngritur me sakrificat e mijëra demokratëve ndër vite.
Sipas tij, pengimi i garës nuk mbron partinë, por interesat e një grupi të ngushtë që, siç tha ai, ka frikë nga vota, drejtësia dhe e kaluara.
Salianji theksoi se nuk ka kërkuar privilegje apo emërim, por vetëm garë dhe votë, duke e cilësuar këtë si të vetmen rrugë që Partia Demokratike të rikthehet fituese.
Ai shtoi se vendimi nuk është refuzim ndaj tij personalisht, por ndaj çdo demokrati që beson te një parti e hapur, konkurruese dhe fituese. Në përfundim, Salianji e quajti situatën “uzurpim funksionesh” dhe theksoi se beteja e tij është për parime, jo për poste.



