Sekretari i përgjithshëm Flamur Noka deklaroi publikisht se selia blu nuk do të jetë e hapur për kandidimin e Ervin Salianji në garën për kreun e partisë.
Në një prononcim për mediat, Noka përdori tone të ashpra, duke deklaruar: “Dyert… Hajdeni këtu, ja shikojeni dyert. Janë të hapura dyert apo jo? A janë të hapura dyert? Tani, por ama një gjë do ju sqaroj. Për Gysin nuk ka për të qenë kurrë kjo derë e hapur. Për mafiozin Varikarlon s’do jetë kurrë… Për Partinë Demokratike duhet të jesh pikë së pari demokrat, jo t’i shërbesh Ramës, duhet të jesh njeri që u shërben demokratëve”.
Deklarata e Nokës erdhi pasi më herët gjatë ditës përfaqësues të Ervin Salianjit tentuan të dorëzonin zyrtarisht dokumentacionin për kandidimin e tij në selinë e Partia Demokratike e Shqipërisë, por sipas tyre kjo nuk u bë e mundur pasi zyrat ishin bosh dhe nuk kishte persona përgjegjës për administrimin e aplikimeve.
Mbështetësit e Salianjit e cilësuan situatën të qëllimshme dhe të inskenuar, duke pretenduar se brenda partisë ekziston frikë nga një garë e hapur. Ata thanë se dokumentacioni është lënë në recepsion dhe se do të dërgohet gjithashtu me postë dhe nëpërmjet email-it zyrtar të PD-së.
Një nga përfaqësuesit e tij deklaroi se mungesa e zyrtarëve në seli tregon se premtimet për garë të hapur nuk po respektohen dhe se do të gjenden forma të tjera për dorëzimin e kandidaturës.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Ervin Salianji u shpreh se nuk do të tërhiqet nga gara, pavarësisht asaj që e konsideron farsë, duke theksuar se synon të kontribuojë në demokratizimin e Partia Demokratike e Shqipërisë sipas modeleve perëndimore.
Ndërkaq edhe tre kandidatë të tjerë kanë depozituar kandidmin e tyre për kryetar të PD-së, Mereme Sela, Evi Kokalari dhe Alesia Balliu. r.p





