Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj pjesëmarrjes së kryeministrit Edi Rama në një samit ndërkombëtar, të cilin ai e cilëson si të organizuar nga Aleks Soros.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se samiti në fjalë përfaqësonte, sipas tij, një platformë me qëndrime të qarta anti-amerikane dhe jo një forum pro-evropian, siç mund të pretendohet.
“Së pari, ky samit ishte organizim i vetë Aleks Soros, i cili e paraqet veten si një nga udhëheqësit e së majtës globale. Së dyti, e vërteta është se ky samit kishte një mantra anti-amerikane dhe nuk ishte aspak pro-evropian,” u shpreh Berisha.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e transparencës për pjesëmarrjen e Ramës, duke e akuzuar për fshehje të aktivitetit dhe për qëndrime që, sipas tij, dëmtojnë interesat kombëtare.
“Si mund të fshihet pjesëmarrja në një samit të tillë? Ti ishe aty, more pjesë në panel, je në foto. Kujt po ia fsheh?” – deklaroi ai.
Berisha shtoi se pjesëmarrja në aktivitete të tilla, sipas tij, tregon mungesë të interesit kombëtar dhe orientim drejt interesave personale.
Në fund të deklaratës, ai theksoi se Partia Demokratike mbetet e palëkundur në mbështetjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështje që lidhen me sigurinë kombëtare.a.b





