Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me një organizatë kriminale të goditur nga autoritetet, ku si anëtarë të saj identifikohen Lulzim Pepaj, Florian Marku dhe Anton Kola.
Sipas hetimeve, grupi dyshohet se kishte ngritur një aktivitet të gjerë ekonomik, përmes të cilit menaxhonte dhe qarkullonte të ardhura të konsiderueshme, të dyshuara si të përfituara nga veprimtari të paligjshme.
Në fokus të hetimit janë edhe bizneset dhe asetet e lidhura me këtë grup, ku spikasin disa shoqëri dhe investime të rëndësishme, mes tyre:
- “Pepa Group” SHPK në Tiranë;
- 33.3% e aksioneve në “HEC ARSTI” në Fierzë;
- 50% e aksioneve në “B.I.V.” SHPK;
- 50% e aksioneve në “Shëngjini 2013” SHPK;
- “Oxford Hotel” në Tiranë;
- “Maison Nuve Aesthetics” në Tiranë;
- “E.DK.AL” SHPK me emrin tregtar “Soluna” në Ishull-Shëngjin.
Përveç bizneseve, hetimet kanë zbuluar edhe një pasuri të konsiderueshme në pronësi apo në përdorim të personave të lidhur me grupin. Bëhet fjalë për rreth 60 pasuri të paluajtshme, përfshirë toka bujqësore, truall, hotele, apartamente dhe poste parkimi, të shpërndara në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë.
Gjithashtu, janë evidentuar 89 automjete të llojeve të ndryshme, që variojnë nga mjete për ndërtim dhe transport mallrash deri te automjete personale, si dhe 72 llogari bankare në emër të personave fizikë, juridikë dhe individëve të lidhur me ta.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht burimin e pasurive dhe për të përcaktuar përgjegjësitë penale të anëtarëve të dyshuar të këtij rrjeti kriminal.





