Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka dhënë detaje mbi hetimet për zjarrin që përfshiu një kompleks banimi në Rrugën e Dibrës, duke çuar në arrestimin e katër personave dhe nisjen e procedimeve penale për disa të tjerë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë ndërmarrë veprime për zbardhjen e shkaqeve të rënies dhe përhapjes së flakëve.
Në pranga kanë përfunduar:
- A. C., 54 vjeç, administrator i kompleksit, për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”;
- R. S., 54 vjeçe, menaxhere e marketit në katin e parë, për “Shkatërrim prone nga pakujdesia” dhe “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”;
- E. A., 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve, për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”;
- A. F., 46 vjeç, administrator i subjektit që ka kryer punimet e fasadës, për të njëjtën vepër penale.
Ndërkohë, është nisur hetim penal edhe për dy punonjëse të marketit, S. A. dhe E. M., për “Shkatërrim prone nga pakujdesia”, si dhe për Armand Lilo, pronar i kompleksit, dhe Sh. B., i kontraktuar për ndërtimin e tij.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se zjarri ka nisur në ambientin e pasmë të marketit, në një zonë ku ishin grumbulluar mbeturina, për të cilat nuk ishin marrë masa për largimin e tyre. Po ashtu, administratori i kompleksit dyshohet se nuk kishte kryer kontrollet e nevojshme për funksionimin e sistemeve të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit.
Si pasojë e flakëve janë dëmtuar 11 persona, mes tyre banorë dhe efektivë të shërbimit zjarrfikës, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor. a.b
a.





