Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vijon këtë të premte shqyrtimin në themel të çështjes ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe 16 personave të tjerë dhe 12 shoqërive të përfshira në dosje.
Në seancë është paraqitur edhe Fatjon Baçi, ish-efektiv i policisë së burgjeve, i cili dyshohet se i ka dhënë telefonin Veliajt për të komunikuar gjatë kohës që ai po shoqërohej drejt paraburgimit të Durrësit.
Seanca ka nisur me debate mes prokurorit Ols Dado dhe avokatit Maks Haxhia, i cili përfaqëson Ajola Xoxën. Ndërkohë, vetë Veliaj nuk është i pranishëm në sallë. Avokati i tij, Plarent Ndreca, ka kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me të gjithë materialin hetimor, duke pretenduar se nuk ka marrë të gjithë fashikujt e dosjes.
Po ashtu, avokatja e Elman Abules, mik i familjes Veliaj, ka kërkuar ndarjen e çështjes dhe gjykim të shkurtuar për klientin e saj. Kërkesa të ngjashme për ndarje të çështjes janë paraqitur edhe nga disa të pandehur të tjerë.
Gazetari Fatjon Gjinaj ka zbardhur pjesë nga debati i zhvilluar në sallën e gjyqit.
Fatjon Baçit iu caktua avokate kryesisht Pranvera Doçi.
Maks Haxhia që mbron Ajola Xoxën: Jam legjitimuar të ndjek ligjin. Avokatët që keni caktuar kryesisht janë njohur me dosjen hetimore apo jo? Pra përfaqësuesja ligjore Pranvera Doçi e caktuar kryesisht për Fatjon Baçin. Duam të bëjmë proces jo sa për të pasur një avokat. Ka një këshill disiplinor atje dhe e shohim…. Të lutem prokuror të mbaroj unë. Sepse po bëhet qesharak procesi.
Ols Dado i drejtohet Maks Haxhisë: Nuk je kryetar i dhomës zotëri je avokat i të pandehurit. Këtu përfaqësoni tagra të të tjera.
Maks Haxhia: Iu drejtova gjykatës.
Ols Dado: Mos e lejoni e nderuar gjykatë të flasë.
Maks Haxhia: Ju keni pushtetin, ne kemi fjalën do të flas, ti mos fol.
Ols Dado: pse ti urdhëron të flasë apo të mos flas unë.
Gjyqtarja Engjellushe Tahiri: Si ju ashtu edhe Maks Haxhia mbroni të pandehur në proces. Ju mund të keni tagra të tjera por këtu jeni vetëm mbrojtës ligjor.
Plarent Ndreca, avokati i Veliajt: Jeni ju të që vendosni. Të gjithë cka janë këtu janë për shkak të gjyqit të Erion Veliajt. Dhe cilësitë e një avokati nuk mund të ndalen nëse shikohet një problematikë. Ju kam kërkuar orare se kur unë të vijë në gjykatë dhe të konsultohem me dosjen. Më 26/03 kam filluar studimin e dosjes dhe mu tha se do vijnë në mënyrë elektronike unë kam qënë fizikisht në gjykatë për të fituar kohë dhe për të lexuar 60 mijë faqe dhe 1 mijë e më shumë prova. Mungojnë fashikujt nga 142 deri tek 146. Dua të shqyrtoj se çfarë mungon nga kjo dosje. Rrezikon qe ky proces të bie ndesh me konventën europiane.
Romina Zano, avokate e Elman Abule: Kemi kërkuar ndarje të çështjes dhe gjykim të shkurtuar për klientin tim Elman Abule. Arsyeja pse kërkojmë ndarjen lidhet me shkaqet procedurale. Ndodhemi në fazë shqyrtimi gjyqësor dhe vlerësojmë se mbajtja e procedimit të përbashkët do cënonte qartësinë e procesit për klientin tim. Vepra penale që akuzohet Elman Abule lidhet me gjykatë të juridiksioni tjetër dhe jo Gjykatës së Posacme. Pra ndryshe kompetenca lëndore duhet të shkojë në një gjykatë tjetër. Faktet për Elman Abulen janë të pavarura me të pandehurit e tjerë.
Avokat Dritan Jahja – i pandehuri Mirton Likaj – shoqëria Lani shpk: kjo gjykatë nuk është kompetente për këtë vepër që akuzohet klienti im. Kërkoj që të shkojë në Gjykatë të Tiranës.
Avokati Frosina Bollo: Gjykim të shkurtuar përmban kërkesa jonë e kemi bërë dhe në seancë paraprake por kërkojmë edhe ndarjen e çështjes.
Edhe Adela Kondakçiu, përmes avokatit Leonard Prenga, ka kërkuar ndarjen e çështjes.
Seanca në GJKKO vijon me shqyrtimin e kërkesave procedurale të paraqitura nga mbrojtja e të pandehurve.





