Një operacion policor i koduar “The End” ka çuar në arrestimin e një 26-vjeçari, i cili mashtronte biznese dhe subjekte tregtare në disa qytete të vendit duke u prezantuar si punonjës institucionesh shtetërore.
Në kuadër të këtij operacioni, në qytetin e Sarandës u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi Luçiano Mahilaj, 26 vjeç, banues në Sarandë, teksa po merrte një shumë prej 56 mijë lekësh të reja nga një shtetas, përmes mashtrimit.
Sipas hetimeve, i riu u prezantohej bizneseve si punonjës i institucioneve shtetërore si IKMT, AKU apo Tatim-Taksat dhe kërkonte para në këmbim të shmangies së masave apo kontrolleve. Nga veprimtaria e tij dyshohet se ai ka mashtruar rreth 35 biznese dhe subjekte tregtare në disa qytete të vendit, mes tyre Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Himarë, Orikum, Fier dhe Berat.
Për çdo rast, 26-vjeçari përfitonte shuma që varionin nga 200 deri në 600 euro.
Gjatë operacionit u sekuestrua edhe shuma e parave që i riu kishte marrë në momentin e arrestimit.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht këtë veprimtari kriminale dhe për të identifikuar raste të tjera të mundshme.a.b





