Është anuluar procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk ka paraqitur ofertë financiare brenda afatit të përcaktuar.
Kompania Archirodon Group nuk dorëzoi ofertën financiare deri më 9 mars, çka ka sjellë ndërprerjen e procesit të prokurimit.
Tenderi kishte një vlerë të parashikuar prej rreth 400 milionë eurosh dhe parashikonte ndërtimin e portit të ri tregtar në zonën e Porto Romanos, një projekt që konsiderohet me rëndësi për zhvillimin e infrastrukturës portuale dhe ekonominë e vendit.
Çështja e këtij tenderi është bërë objekt denoncimi në SPAK në lidhje me procedurat e ndjekura gjatë garës.
Ndërkohë, pezullimi i procedurës vjen edhe pas kërkesave të vazhdueshme nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara. Kreu i Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, Grant Van Cleeve, i dërgoi pak ditë më parë një letër publike kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë lidhur me këtë projekt.
Në letrën e tij, Van Cleeve e cilësoi ndërtimin e portit si një vendim që merret “një herë në 100 vjet” dhe kërkoi shtyrjen e garës, duke argumentuar se projekti aktual rrezikon t’i heqë Shqipërisë mundësinë për të qenë konkurruese në rajon.
Paralelisht, për procedurën e tenderit ka nisur hetime edhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila po verifikon dokumentacionin dhe procedurat e ndjekura për të sqaruar nëse gjatë procesit të prokurimit ka pasur shkelje apo parregullsi. a,b





